Atdheu ku të rrahin Rrajat dhe rrjepin Rrepajt - Nga Ilir Gjini
Rrajat dhe Rrepajt janë dy mbiemra “emblematikë” që reflektojnë më së miri gjithë katrahurën ku noton Shqipëria e sotme. Çuditërisht këta mbiemra janë në përputhshmëri të plotë me karakterin…
Rraja, që të rrahin me hu baseball-i dhe Repaj që të rrjepin me kalem në tenderat sterilë pa konkurencë, ku fituesi është përcaktuar që më parë. Janë pikërisht këta dy “ekipe baseball”-i, njëri me hu e tjetri me kalem, me të cilët trainieri i tyre mban pushtetin. Me Rrajat shalon në dru e përhap panik duke kontrolluar nga interesat ekonomikë e deri te votat në çdo zgjedhje, ndërsa me Rrepajt grabit fondet publike përmes tenderave korruptivë dhe me këto para blen zgjedhjet e radhës, duke korruptuar madje edhe ndërkombëtarët, sikundër ndodhi me ish-shefin e FBI McGonigal.
Ndryshimi i akuzës nga ana e Prokurorisë së Tiranës në “plagosje e lehtë”, pas masakrimit që iu bë dy burrave të fisit Maja nga familjarët e deputetit Rraja, tregon se ky institucion i drejtësisë është shndëruar në një celulë aktivistësh të Partisë Socialiste. Jo rastësisht në këtë prokurori u punësuan katër familjarë të Nënkryetares së Kuvendit znj. Felaj… që njëri të grabisë e tjetri t’i shpëlajë.
Njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën, nuk thotë kot populli.
Fatmirësisht kjo ngjarje e shëmtuar pati një jehonë mediatike dhe falë denoncimeve të gazetarëve kurajozë, Prokuroria kërkoi një riekspertim mjeko-ligjor të viktimave e të dhunës.
Se me çfarë logjike krisja e kafkës dhe thyerja e kockave te dorës cilësohet si plagosje e lehtë, vetëm një ekspert “ufolog” si Elton Serani mund t’a dijë, se në jetën tokësore nuk ndodh. Si mundet ky palo mjek të thotë që dhuna nuk ka pasoja për jetën, kur pasojat e dhunës dhe makthet do t’i shoqërojnë viktimat gjatë gjithë jetës? Nuk do t’ia uroja, por nëse ekspertit Elton do t’i ndodhte në kurrizin e tij kjo dhunë, me siguri nuk do t’a klasifikonte as plagosje e rëndë, po “prag” vrasje.
Më kujtohet mirë kur si gazetar kronike, raportova një grindje mes dy personave që shisnin misra në Ujin e Ftohtë të Tepelenës. Një grusht në kokë pësoi viktima dhe pati çarje të kafkës, e për pasojë humbi jetën disa orë më vonë. Ngjarje të tilla dhe pandëshkueshmëria i bëjnë shqiparët të largohen.
Atdheu është dashuri, atdheu është dhimbje. Janë miqtë, çastet e lumtura e të hidhura. At-dheu kthehet në “Dhe” kur sundojnë me hu Rrajat dhe të vjedhin me kalem Rrepajt.
© Ilir Gjini












