Urtësi

Testamenti i Benjamin Franklin

Nga: Klodi Stralla

Duke lënë vetëm 1000 funta sterlina, Franklini shpërndau miliona!

Është i njohur Testamenti i burrit amerikan të shtetit, Benjamin Franklin, hartuar me dorën e tij në vitin 1788, dy vjet para vdekjes. Me të ardhurat e grumbulluara sipas porosive të tij u ndërtua në Boston një kolegj që sot mban emrin e tij, si dhe u krijua një Fondacion që ka bërë shumë punë publike. Franklini ishte jo vetëm njëri prej Etërve Themelues të Amerikës, si firmëtar i Deklaratës të Pavarësisë 4 korrik 1776 por edhe një shkencëtar i njohur për kohën, si shpieguesi i dukurisë të rrufesë dhe shpiksi i rrufepritësit të parë.

Në Testament midis të tjerash ai ka lënë edhe këtë porosi:
“U lë në trashëgim 1000 funta sterlina banorëve të Bostonit. Nëqoftëse ata do t’i marrin këto 1000 funta, duhet t’ua besojnë qytetarëve më të zgjedhur, dhe këta duhet t’ua japin me kamatë, nga 5% në vit, hua zejtarëve të rinj. Kjo shumë pas 100 vjetësh do të arrijë në 131.000 funta stërlina. 
Unë dëshiroj që atëherë 100.000 funta sterlina të përdoren për ndërtimin e godinave publike, kurse 31.000 të tjera të jepen me kamatë për 100 vjet. Mbas kalimit të shekullit të dytë, shuma do të arrijë deri në 4.061.000 funta sterlina, nga të cilat 1.061.000 funta e lë në dispozicion të banorëve të Bostonit, kurse 3.000.000 i lë në dispozicion të drejtuesve të Bashkisë të Masaçuset. Më tutje nuk guxoj t’i shtrij parashikimet e mia”

E solla këtë ndodhi të vogël por kuptimplotë, për të kuptuar sadopak se çfarë standardesh mendore dhe morale duhet të kenë ata që themelojnë dhe udhëheqin kombet.