Urtësi

Natyra poliedrike e ligjit - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla

Që në kohët që s’mbahen mend, kohezioni i çdo bashkësie njerëzish (shoqëria) është siguruar nga prania e Ligjit. Ai mund të jetë gojor (zakoni) ose i shkruar (legjislacioni) por në çfarëdo forme qoftë,

Ligji është një mjet për realizimin e kontrollit shoqëror, një mjet për t’i detyruar njerëzit që të bëjnë disa gjëra, të cilat do të kishte pak gjasa t’i bënin po t’ua lije atyre në dorë.

Ligji herë zbatohet vullnetarisht, me dëshirë dhe bindje prej shumicës të njerëzve dhe here, për zbatimin e tij, duhet përdorur dhuna ndaj tyre. Pse ndodh kjo?

Ligji që të jetë efikas, para së gjithash, duhet të jetë edhe arsye, edhe moral e etikë, edhe dobi, pse jo edhe dashuri, para se të jetë dhunë.

Një Ligj i mirë zbatohet vetiu nga shumica e njerëzve sepse ata shohin tek ai një ndihmës të pazvendësueshëm për realizimin e synimeve të tyre.

Ne shqiptarët jemi mes atyre popujve që priremi të mos e zbatojmë ligjin, herë duke bërë të kundërtën e asaj që urdhëron ai, dhe herë të tjera duke e keqinterpretuar atë sipas interesave tona të momentit. Këtu ngërthen një kategori tjetër që quhet kultura e ligjit.

Psikologjia jonë mijëvjeçare është formuar me konceptin e ligjit si Dhunë, huazuar nga natyra e ligjit penal, si një set rregullash të natyrës ndaluese: mos bëj këtë ose mos bëj atë veprim (vrasje, plagosje, grabitje, vjedhje, ….), përndryshe vjen dhuna, dënimi (burgu).

Sot ka një qasje tjetër ndaj ligjit që bazohet tek natyra e ligjit civil, si set regullash jo ndaluese por lejuese. Ja t’u sjell një shembull:

Përfytyroni një moment Tiranën me semaforë të fikur. Çdo të ndodhë me trafikun?

Sigurisht kaos, aksidente, vonesa në destinacionin e dëshiruar, sherre pa fund mes njerëzve, shoqëruar me pasoja të padëshiruara.

Çfarë bën semafori? Natyrisht nuk ndalon askënd të shkojë aty ku dëshiron, veçse të respektojë disa regulla që quhen Rregulla të qarkullimit rrugor, disa tabela, shenja, korsi, që s’janë gjë tjetër veç ligje, jo me gërma por me simbole.

Natyrisht ka edhe një pakicë që shmanget nga regulli; ajo sigurisht do të ndëshkohet. Në këtë këndvështrim ligji të lejon dhe nuk të ndalon të realizosh qëllimet e tua, me kushtin që të respektosh disa procedura paraprakisht të përcaktuara. Edhe masa e dënimit (kryesisht gjobë) është më tepër edukuese se ndëshkuese, e diferencuar sipas personit dhe jo “en bloc”, me fushatë, për të ngjallur frikë e panik.

Pushtetarët tanë mundohen të na mbushin mendjen se Ligji është thjesht vullneti i tyre (dhuna), mjafton të jetë votuar në një parlament (qoftë edhe ilegjitim), pa marrë parasysh arsyen, moralin, dobinë, etikën dhe dashurinë për njeriun që duhet të ketë një Ligj për t’u zbatuar vullnetarisht nga sa më shumë njerëz.

Ka shumë shembuj që, ligje të tilla, herët a vonë, u janë kthyer në bumerang atyre që i kanë bërë.

Historia njerëzore është historia e ligjvënësve të mëdhenj dhe jo e policëve të mëdhenj.