Urtësi

Ikje nga lavditë fallco - Nga Albana Lifschin

Kisha kaq kohë që mendoja të bëja një shkrim për të ngacmuar vëmendjen e kolegëve të mi, si edhe atyre që janë në hapat e para të krijimtarisë. Por u desh ky shkas i fundit, që përfundimisht të ulem para kompjuterit.

Jam e sigurt që kur ta mbarojnë së lexuari këtë shkrim, shumë prej tyre do të jenë me mua, ashtu sikurse do të ketë edhe ndonjë që do t'i pritet në mes buzëqeshja e vetkënaqësisë së rreme.

U ula të lexoj me kureshtje një libër nga një autor i ri. Siç ndodh zakonisht, para se të fillojmë leximin u hedhim një sy kapakëve të librit për të marrë informacion për autorin. Në mes të tjerave, në kapakun e pasëm lexoj se ai është nderuar nga “Shoqata ndërkombëtare e poetëve” (International Society of Poets) si poeti më i mirë i viteve 2003, 2004....

Për një tjetër që e shikon për herë të parë këtë vlerësim, kjo do të qe sa befasuese, aq edhe intriguese e krenaringjallëse. Por mua. që jam mjaft e familjarizuar me termin “Shoqata ndërkombëtare e poetëve”, më zgjoi ndjenjën e keqardhjes.

M’u kujtua kupa ime e argjendtë dhënë nga kjo shoqatë në vitin 2002. Më kujtohet si tani kënaqësia prej gjimnazisteje që ndjeva tek po nxirrja nga kutia atë kupë të vendosur në një piedestal druri ku thuhej "International Poet of Merit award presented to... (emri im këtu) akorduar nga International Society of Poets.

E vumë në dhomën e ndenjes, ku mund ta shihte gjithkush. E shihja edhe unë dhe në vend të një krenarie të ligjshme, ndjeja një zbrazëtirë në shpirt, edhe pse nuk dyshoja në cilësinë e poezisë sime. Cili qe ai komision që e kishte vlerësuar atë dhe kishte vendosur të më jepte kupën e argjendë, të fitueses në poezi? Ishte vërtet poezia që ma dha këtë nder, apo çeku im prej 100 e kusur dollarësh që kisha postuar për të, nga kërkesa që m’u bë?

Të gjitha letrat dhe e-mailet identike që më vinin nga “Shoqata Ndërkombëtare e Poetëve” apo poetry.com firmoseshin nga një Steven Michaels. Kur provova t’i dërgoj një email këtij zotërie, m’u kthye mbrapsht. Numër telefoni nuk gjendej që të mund të thoja një “Faleminderit", apo të bëja pyetjet që më kishin lindur.

Për pak kohë kupës së argjendë i ra shkëlqimi. E vështroja si një lavdi kallpe. (Mbase zotërinjtë do kishin bërë mirë të kishin bashkëngjitur edhe një udhëzues për të më thënë se si ta pastroja apo ruaja atë nga oksidimi.

E mora dhe e fsheha diku në dhomën e gjumit, për të mos e parë më njeri. As shakaja e tim shoqi që "ky tas qenka i mirë për sallatë" nuk shkonte më.

Nobel House Publishing pat botuar një libër të bukur me kapakë trashë (Songs of Honour) dhe poezia ime ishte ajo që hapte vëllimin poetik. Poezia kishte marrë vlerësime edhe nga kolegët e mi. Mirëpo tek e ktheja librin mbarë e prapë nuk po gjeja as ISBN e librit. Vonë mësova që kjo shtëpi botuese kishte lidhje me “Shoqatën Ndërkombëtare të poetëve”... E mora edhe librin me kapakë të bukur dhe e vura bashkë me tasin e sallatës!

Që nga momenti që unë fillova të botoj tek poetry. com filluan të më vinin në mënyrë të pandërprerë letra në zarfet e të cilave qe shkruar: "PLEASE OPEN IMMEDIATELY. You are cordially invited..." E mësova përmendësh përmbajtjen e tyre. (Vetëm brenda tre muajve të fundit pata marrë katër letra të tilla) Letrat e tyre me shënimin "very important" përfundojnë në koshin e plehrave. Jam e bindur që po të bëja një anketë se sa nga ata që shkruajnë poezi në anglisht në internet kanë marrë statusin e VIP, do të dilnin me qindra apo 100% e tyre!

Çfarë komedie! Imagjinoni tani sa dhjetra apo qindra poetëve u vijnë zarfe të tilla. Të gjithë janë të nominuar si poetët më të mirë të vitit! Të gjithë ftohen në simpoziume, të gjithëve u premtohen çmime, të gjithë janë planifikuar për t’u botuar në seriale librash me kapak të trashë... por vetëm me një kusht të vogël ama... duhet të firmosin një çek prej... A është e nevojshme të flas edhe më konkretisht?

Në fund të Majit më erdhi një çertefikatë "për arritje të jashtëzakonshme në poezi", si edhe një letër ku thuhej se një poezi e imja qe sugjeruar nga editori të futej në një përmbledhje të re poetike si edhe rregjistrohej në një CD "Sounds of Poetry". Dhe më tej më thuhej se "...po qe se unë do dëshiroja të kisha një kopje të këtij albumi do të më kushtojë $49+$8 për posten) dmth 57 dollarë.

Lind pyetja: Pse duhet të paguaj, kur jeni JU zotërinj që e keni zgjedhur poezine time për ta botuar në një përmbledhje poetike?

Në letrën e datës 5 Maj të këtij viti ftohem të marr pjesë në një simpozium në Las Vegas si "Honored member of our society", që mbahet në 19 Korrik me rastin e 21 vjetorit të saj. Afati i regjistrimit për simpozium ishte deri në 14 Maj. Pagesa për regjistrimin si e ftuar ishte 475 dollarë! Dhe të ftuar në simpozium janë 750 veta. Ju bëni matematikën.

Kam kohë që jam ngopur me vlerësimet e nderet e "Shoqatës ndërkombëtare të poetëve", që luajnë me ndjenjat e krijuesve e budallepsin ata që besojnë.

Ndaj do t’u thoja miqve të mi të penës që për hir të respektit ndaj krijimtarisë suaj, mos u ngjisni rezumeve letrare "titujt" e dhënë prej "Shoqatës ndërkombëtare të poeteve". Mos e bëni këtë as në librat që botoni, sepse më vonë mund t'u ndodhë që të kërkoni t’i fshini, por nuk do të mundni më. Mos u vetkënaqni nga falsiteti i çmimeve e medaljeve, për të cilat edhe ju vetë jeni të ndërgjegjshëm.

(Botuar tek ILIRIA, 6 Korrik 2007)

Sot, duke kaluar nëpër arkivën time, u ndala në reagimin e të ndjerit Piter Prifti, profesorit të nderuar nga Kalifornia, i cili më ndiqte rregullisht në gazetën “Iliria”. Mendimet e tij tingëllojnë aktuale edhe sot.

"E di, Albana, ky shkrimi yt më kujton pragun e Milleniumit të Ri; pra, vitin 1998-99, kur institute gjoja shkencore këtu në Amerikë ngritën kurthe për të zhvatur lekë nga xhepat modeste të shtresës intelektuale shqiptare, shkrimtarë e poetë, profesorë e artistë të ndryshëm. Shkurt, një numër jo i vogël në lëmin shkencor-artistik, që njiheshin pak a shumë në Shqipëri, në mos edhe përjashta. Mjaftonte që emrat e tyre të figuronin në ndonjë libër apo revistë, ose tjetër fushë krijimi. Këta institute filluan t’u dërgojnë letra këtyre shqiptarëve naive, me lëvdata pa fund për arritjet e tyre të shquara, që kishin tërhequr vëmendjen dhe admirimin e botës së jashtme, dhe për këtë arsye ata ishin "emëruar" (nominated) nga institutet në fjalë që të dekoroheshin, p. sh. me Medaljen e Nderit të Milleniumit 2000 ("The 2000 Millennium Medal of Honor"). Por për këtë nder të pashoqtë në analet shkencore, atyre u kërkohej një shumë të hollash, nuk e di se sa, por sigurisht për xhepat e shqiptarëve nuk ka qenë e vogël. Plot shqiptare u bënë viktima të këtyre instituteve hajdutë. Një nga këta ishte një intelektual që e kam patur dhe e kam mik të ngushtë. Në të vërtetë, unë u njoha me veprimet e turpshme të këtyre instituteve nga përvoja e hidhur e këtij mikut tim. Pse, do të thote dikush, u bënë viktima këta bashkatdhetarë? Kjo ngjau, mendoj unë, nga injoranca e tyre, nga egoizmi, nga etja për famë botërore, si dhe nga besimi i rremë që kishin në institutet akademike amerikane, pa përjashtim, dmth. pa bërë ndonjë dallim midis tyre.

Por, si duket, akoma ka shqiptarë që nuk e kanë kuptuar se u gënjyen dhe harxhuan lekë kot, për shkak të këtyre instituteve fallco. Unë kam parë nga koha në kohë shkrimtarë, etj. që shënojnë me bujë në biografitë e tyre nderin që iu bënë, apo dekoratat që u kanë dhuruar këta institute apo shoqata shkencore amerikanë në një kohë të caktuar. Dhe kur i lexoj, më bëhet të qesh, por edhe më vjen keq qe ende nuk janë zgjuar nga gjumi që bëjnë.

Sidoqofte, ti, e dashur Albana Lifschin, me shkrimin tënd të guximshëm, pa tjetër që ia hoqe petkat lakrorit të hidhur, dhe u hape sytë bashkatdhetarëve që të njohin realitetin dhe të mos ëndërrojnë me sy hapur. Le të shpresojmë se këtej e tutje, këta të gjorë do t'i vënë gishtin kokës dhe do të kuptojnë lojën e këtyre redaktorëve dhe revistave, që shohin vetëm interesin e tyre.

Me shumë respekt e përzemërsi,

Peter Prifti