Burgu i përjetësisë - Nga Behar Gjoka
Njeriu i ngratë, e zë fill jetën në barkun e nënës, që metaforikisht, është burgu dhe parajsa, ku jeta selitet, në fillim të fillimit. Zakonisht, në mbarim të nëntë muajve, takohet me botën e madhe. Sapo del në dritë, pavarësisht përkujdesjes, pasi ndahet nga trupi amnor, nën trokun e pavetëdijes, niset në udhën e gjatë, që është një burgim specifik, pa hekura dhe kuadrate. Te burgu i vetes, ndonëse na ndjek në secilin hap të jetës, njeriu përgjithësisht, nuk vë re asgjë dhe, është krenar në hapësirën e mbyllun. Kredhur në burgun e vetmisë, ku lëshohen në jermi ca tinguj lumnie, pikërisht se është i burgosur.
Pa e kuptuar, bie në pusin e zi të burgut social. Ky lloji veçimi, ndonëse nuk ka pranga hekurime, shfaqet si paragjykim dhe degradim krahinor, moshor, seksesh dhe besimesh fetare. Ka raste, ku për shkak të rrethimit të shumëfishtë, njeriu mallkon veten se përse erdhi në këtë botë. Gjermëtani, aktin e burgosjes, si ndëshkim sublim, megjithatë e ka vulosur pushteti, pavarësisht formës, nëse ka qenë monarki, diktaturë apo demokraci mushkore.
Hëm, në burg dhe kokëpreje te mbreti. Me pushkatim dhe varje të dënonte diktatura... Me burg edhe tani... Burg pse fole. Burg pse mendove… Burg pse more frymë... Burg majtas, e djathtas burg... Burg në demokraci... Mbaje veten, o njeri... Nga burgu vijmë, e drejt burgut shkojmë... Shaka me piper, qe zbeh shenjat e demokracisë së preshit...
Atëbotë, kur njerëzimi ra në amnezi, në harresën e të jetuari nëpër burgje, ia behu Coronavirusi, që ka meritën se na ndryu brenda katër mureve...Thuhet se Corona, me cinizëm të fshehun, synon me realizu barazinë... Barazinë ku jeta ndërron kahje... Eh, testimet, sërish vërtetuan se njerëzit, dykëmbësorët, pëlqejnë pabarazinë...
Qeveriu Rama, ka me hy në histori, si mjeshtër, që të fut në burg, sa herë t'i dojë zogu i qefit... Pastaj të nxjerr prapë...
Burgu, të krijon shansin me mendu për lumturinë, se ke kohë sa të duash... Kur terri, i burgjeve të shumtë, mbase i zinxhirit të përsosur, po ulej në tokë, në qiell ndriti drita e Zotit, e vetmja shenjë që na kthjell me pa se jemi të dënuar me jetu në burg, nëse nuk e shohim vegimin e Krijuesit...
©Behar Gjoka










