Seneka rishkruan letrën për lumturinë - Nga Marcello Veneziani
- Nga: E shqipëroi Henrik Ligori

Marcello Veneziani
I dashur Lucilio, ç’do të bësh për Krishtlindje dhe për Vitin e Ri? Nuk dua të të bezdis me letrat e mia shembullore dhe të t’i nxjerr për hundësh festat e mërzitshme (po, thashë mërzi, nuk thashë gëzim, ngaqë desha të citoj Franco Califano-n). Tanimë që kemi hyrë në fazën akute të festimeve, desha ta përditësoj letrën time për lumturinë. Do të shkëmbeni një mal me urime për lumturi, një rit fatndjellës, i kryer masivisht, që dëften se sa primitiv është moderniteti juaj. Urime de visu, por mbi të gjitha përmes ca letrave shkurtabiqe që i quani whatsapp, sms apo duke lënë mesazhe zanore, gjithherë me atë vegël dreqi, që po ma kthen epistolarin në një zeje të dalë mode. Mos thuaj, i dashur Lucilio, që kam mbetur i njëjti pedant, me pergamenat e mia të mërzitshme; falëndero Zotin që nuk kam celular, përndryshe do të dëndja me mesazhe dhe nuk do të mbetej tjetër veçse të më bllokoje …
Mbas festave do të ktheheni të gjithë në shtëpinë e lumturisë dhe të mërzisë dhe do të rivishni petkun e zakonshëm të mediokritetit. Pushimet kanë privilegjin që të ndryshojnë normalitetin dhe të nxjerrin në pah dëshirën tonë të papërmbajtshme dhe të panegociueshme për lumturi; por, shpalosin edhe trishtimet e fshehura, nxjerrin në pah dhimbjet dhe melankolitë, zbulojnë mungesat dhe ndjesinë e vetmisë. Të fjeturit peshojnë më shumë sesa të gjallët. Kështu, gjatë pushimeve shpërthejnë lumturia dhe mërzia, kapen përduarsh, këmbejnë vendet dhe fillojnë të vallëzojnë. Edhe ti do të festosh si jo më mirë, Lucilio, sepse ti më lexon dhe më do, për këtë nuk kam dyshim; por pastaj, në jetën praktike, do të velesh nga këshillat e mia dhe do të jetosh si të të vijë për mbarë dhe do të shkosh ku të të çojë zemra, stomaku, madje edhe ai organi pa dinjitet, i quajtur rroçkë. Unë, si i moçëm që jam, do ta kaloj vitin i veçuar, duke përsiatur për lumturinë dhe reklamat e saj. Pavarësisht gjithë këtyre festimeve, letrat e mia për lumturinë përsëri nuk do t’i lënë të bien përdhe. Dymijë vjet pas botimit të parë gëzohem ta shoh veten në klasifikimin e autorëve më të shitur. Edhe pse ndjej se ma kanë futur pak me të drejtat e autorit, ku nuk po bëj përpara që prej mijëvjeçarësh. Nuk kam gajle, se për mua të parat janë detyrat, mbasandaj vijnë të drejtat; por jam stoik, nuk jam budallë.
Pastaj ndjehesh mirë kur bëhesh best seller në një epokë që nuk pajtohet me mendimet e tua. Dakord, unë kam jetuar në kohën e Kaligulës dhe të Neronit, ndërsa ju në kohën e Berishës dhe Ramës… Gjithandej ndjehem sikur më nxjerrin ndonjë pengesë. Pashë në librari dhjetëra libra kushtuar lumturisë, gati të gjithë të shkruar nga barbarë, keltë, galë ose të afërm të tyre. I mbajta shënim, më është bërë ves për shkak të zanatit: madje, ka edhe një histori të lumturisë, sikur lumturia të paskesh pasur një histori, kur përkundrazi është një nga pjellat e saj. Flitet edhe për ekonominë e lumturisë, por lumturia është gjëja më antiekonomike që ekziston, ajo gjallon falë shkapërdarjes. Në kohërat tuaja, deri edhe civis romanus Antonello Venditti më fuste në këngët e tij; shko i çaj las pelotas Epikurit (hera-herës më shpëton ndonjë shprehje në spanjishte, ngaqë jam nga Cordoba) dhe më lër rehat mua që nuk jam nga Roma, por i Real Madridit. Gjithë këto libra e kompakt disqe kushtojnë shumë më tepër se letrat e mia për lumturinë, të shtypura me çmim të lirë. Atë nyje të panevojshme që ju varet në qafë si një konop qeni me bojra, të cilën e quani kravatë, e paguani njëzet herë më shtrenjtë sesa librin tim, vetëm ngaqë mban firmën e një rrobaqepësi. Kurse një libër i firmosur nga Seneka, i lashtë dymijë vjet, kushton vetëm një gjysmë sesterci… Turp, o cingunë!
Për temën e lumturisë po ju citoj dy pasardhës francezë; Louis Aragon-in që thoshte: “Kush flet për lumturinë, trishtimi i lexohet ndër sy” dhe Proust-in: “Vitet e lumtura janë gjithmonë të humbura”. Sa e palumtur duhet të jetë një epokë që e ekzalton në mënyrë kaq të fandaksur lumturinë, shkruan e flet për të, i këndon, e përmbyt me urime… Duhet të jetë skllave e një hedonizmi të sëmurë, lëngues. Të paktën të ishin epikurianë, por jo, janë festadashës, por të palumtur, shkapërdarë, por të dëshpëruar, nepsqarë dhe të panginjur… Sepse lumturia zhduket sapo e dëshirojmë, vjen kur nuk e presim, si bujtëse fluturake dhe e arratisur. Gaz e mërzi, të dyja dhëmbin, por në kohë të ndryshme; sepse lumturia herët a vonë paguhet, të dashur djelmosha. Dimrat vijnë që të paguajmë për beharet.
Dikur mendonit se lumturia ishte një e mirë publike, politike, edhe ajo më intimja e privatja; sot keni rënë në gabimin e përkundërt dhe besoni se lumturia është thjesht një fakt privat. Por lumturia nuk është një shpallje politike e aq më pak një palë mbathje të kuqe, gjëra intime… Përkundrazi, ka trishtime që kalojnë nga jeta publike dhe të tjera bëjnë udhë kah jeta private.
Lumturia, i dashur Lucilio, nuk është një projekt, por një ledhe, është një bashkim i përkohshëm i atmosferës, i ndjesive të mbetura pezull dhe i gjesteve të përbashkëta, vetmi e bekuar ose shoqëri besnike. Nuk është program politik, por një gjësend jashtë programit; merreni me mend sikur lumturia të ishte një plan industrial ose plan konsumi. Lumturia, egërshane dhe ajrore, çel gonxhe në kopështin e harresës. Është mendja që thotë: jam e lumtur! Sepse lumturia është pritje ose kujtim, ëndërr ose harresë. Kur e ke mendjen, lumturia nuk është aty, kur e ke para sysh, ti nuk e sheh. Lumturia do ta ketë zemrën e hapur, por i ka sytë e mbyllur. Kërko më shumë urtësinë, jo lumturinë. Dhe jo vetëm sepse është më e rëndësishme dhe të fal bekimin, se është lumturi më e vërtetë dhe se zgjat më shumë; por, edhe sepse lumturia rron me rrengje e pusira, i pëlqen të improvizojë dhe qëllon që vjen edhe nën një emër të rremë. Pra, Lucilio, ka të drejtë një koleg i Venditti-t, gjysmëadashi im - Lucio Dalla, që këndonte ëmbël e plot mister: “Lumturia, me cilin tren nate do të udhëtojë…?”
(“Panorama”, n. 52)
https://www.marcelloveneziani.com/articoli/seneca-riscrive-la-lettera-sulla-felicita/
©Henrik Ligori












