Urtësi

Avokati, një përvojë e re, një dhimbje më shumë - Nga Piero Calamandrei

Nga: E shqipëroi Henrik Ligori

"Klienti që vë këmbë për herë të parë në studion time, gjithherë më duket një rokan; nëse do të mund të më lexonte se ç’mendoj për të thellë në shpirt, do të merrte nga sytë këmbët i tmerruar. Por më pas, me t’u platitur vala e parë e rebelimit, e ftoj me një vështrim të trishtë që të ulet: e sakaq ofshaj përbrenda për fatin e avokatit, të cilit shoqëria i ka besuar privilegjin shumë delikat për të qenë rrufepritësja e njerëzve kokëçarës dhe detyrën që t’i tërheqë ata në studion e  tij dhe t’i bëjë të shfrejnë butësisht, në atë farë dhome të izoluar, të fortifikuar me fashikuj të vjetër tërë pluhur, për të mos shpërthyer lirshëm nëpër rrugë, duke vënë në rrezik qetësinë e njerëzve të lumtur.

Klienti, pra, ulet para meje: dhe unë me nënshtrimin e viktimës që gatitet për t’u sakrifikuar, e ftoj të flasë. Por, gjatë minutave të para nuk ua vë veshin atyre që më dëften bashkëbiseduesi: pikërisht në ato çaste, i nxitur nga zëri i huaj i atij furacaku, që flet për kambiale të skaduara dhe furnizime të ndryshme nga kampionatura, mendimi im ëndërron të arratiset drejt brigjesh imagjinare, ku nuk ekzistojnë as kambiale dhe as mallra; dhe ky rokan, i cili më rrëfen telashet e tij vetjake (po ç’lidhje kam unë, që as nuk e njoh këtë njeri, me interesat e tij?) më lë përshtypjen e atij robit që, teksa tentoj të vë këmbën mbi shkallëzën e anijes që po ngre spirancën, më tërheq nga pas xhaketën, duke më penguar të hov mbi kuvertë.

Por, pak e nga pak, teksa rrëfimi bën përpara, ashtu si pa e kuptuar, filloj t’i jap të drejtë. Që në krye, më shumë se çdo gjë tjetër, më kërshëron pamja e jashtme e bashkëbiseduesit: fiziku, mënyra e veshjes, gjestet. Më shumë se kuptimin e fjalëve, filloj të vërej theksin, pauzat dhe spërdredhjet e frazave, që mbase nxjerrin në pah ndërdyshjet ose dredhat e mendimit; befasohem teksa, pas çdo fjalie, me mendjen time, bëj statistikën e “pra”-ve dhe regjistroj numrin e “meqë”-ve. Kështu, pak e nga pak, profesioni fillon e më mbërthen; mjafton kuptimi i ndonjë fjalie për të nxitur një diagnozë paraprake; që kur bota është kjo që është, janë kaq të pakta skemat abstrakte që përmbledhin fatkeqësitë njerëzore, sa nuk lypset shumë mund për të bërë një klasifikim paraprak.

Por më pas, mbi bazën e këtyre tipareve të përgjithshme, falë rrëfimit të klientit, rasti fiton fizionominë e tij, gjithmonë e më të përvijuar: filloj e kuptoj se ka një pikë të çështjes, ajo që kaloi në heshtje ose që u cek krejt përciptazi, rreth të cilës rrëfyesi vërtitet me ankth: zbuloj tek ato fraza të ndërdyme, një turp që nuk guxon ta prekë, një keqardhje që nuk do ta dëftejë, gati një frikë, do të thosha, për t’i gërricur koren një plage që ende dhemb. Dhe atëhere filloj e ndiej që skemat abstrakte nuk vlejnë më: duhet dalë nga indiferenca e zakonshme profesionale që do të donte të kënaqej me përafrime, për t’u qasur me dëshirën e respektueshme për ta kuptuar rastin konkret, që nuk mund të krahasohet me asnjë tjetër, sepse çdo krijesë njerëzore është unike dhe njëra dhimbje nuk i ngjan tjetrës.

Në këtë çast, jam unë që duhet ta ndërpres rrëfimin e klientit: tashmë ndjej nevojën për ta marrë në pyetje, për ta kthyer në pikën e nisjes, për t’i kërkuar shpjegime mbi boshllëqet që rrëfimi i tij i la të pandriçuara. Pjesët e ndryshme të rrëfimit të tij, përmes hetimit tim, tentojnë të koordinohen dhe të përngjiten; dhe këtu rolet ndërrohen: ishte ai që po më sfiliste me rrëfimin e tij, tashmë jam unë që e nervozoj me pyetje. Dhe më në fund, kur vendos ta lë të qetë, shpirti i tij është zbrazur: halli i tij u bë brenga ime. Tanimë, unë di më tepër se ai: çështja e tij, e hedhur në të pastër në mendimin tim, është sistemuar dhe qartësuar; ka fituar një mbështetje logjike që fillimisht nuk e kishte. Dhe në rast se ai dëshiron të dijë si janë zhvilluar ngjarjet, tash e tutje, është radha e tij të kërkojë shpjegime prej meje.

Kur klienti largohet, bota shpirtërore e avokatit mbushet me një përvojë të re: le të themi me një dhimbje më shumë, por dhe me një arsye më shumë për t’u ndier i përkëdhelur nga jeta. Pati ardhur një rokan, por mbas tij u shfaq një hallexhi që duhet këshilluar, një i pafajshëm që duhet mbrojtur, a mbase një mik që duhet t’ia lehtësosh vuajtjen.

Kështu avokati mbetet i vetëm në dhomën e tij, duke përkëdhelur kodet e besuara; mendimi për të marrë anijen u shua: duhet të qëndrojë në steré, ku ka shumë për të bërë."

(Piero Calamandrei, Elogio dei giudici... Ponte alle Grazie, 2008)