Bota Shqiptare

Përplasja në Parlamentin Maqedon, konflikt apo propagandë?

Nga: Xhevdet Nasufi

Pamë Kuvendin e Maqedonisë më 14 Mars. Polarizimi i opinionit tani ka më shumë arsye të mbërrijë kulmin në lartësi maramendëse. Kjo, edhe për faktin sepse këtij populli që jeton në shpresë dhe varfëri i është bërë domosdoshmëri thashethemi në sensin shqiptaro-maqedon. Madje, ushqimi më i mirë i duket kur vjen nga kopshti i politikës.

Dikush, aktin e Gruevskit e vlerëson si patriotizëm dhe trimëri. Të Talatit si qyqarllëk dhe frikë. Të tjerë, Gruevskin e mbështesin te muri i turpit dhe e konsiderojnë gazi i botës, ndërsa Talatin e vlerësojnë si hero të ditës. Por, ka edhe nga ata që gjithë këtë ngjarje e konsiderojnë vetëm si një nga sajesat fanatike me të cilat jemi mësuar gjatë qeverisjes mes këtyre dy partnerëve (BDI dhe VMRO), pothuajse prej më shumë se një çerek shekulli.

Në fakt e gjithë kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, shqiptarët dhe maqedonasit e përcaktuan të tillë në vitin 2001. Qysh atëherë, kishte afat kohor për tu zbatuar si e tillë, pothuajse një dekadë më parë. Pikërisht këto dy parti, BDI dhe VMRO, e kanë qeverisur vendin dhe ngjarjet politike gjatë gjithë kësaj periudhe. Madje, ajo që është akoma më domethënësë,  individët janë po të njejtët.

Kush është fajtor që vetëm tani pas 18 viteve duhet të emetojmë, respektivisht imitojmë zyrtarizimin e gjuhës shqipe?  Kuptohet, për Gruevskin si kryeministër për kaq vite, është dobësi intelektuale dhe politike të sillet ashtu siç bëri dje. Por, vetëm ai e di pse vallë nuk e realizoi deri në fund qëllimin, nëse ka dashur me të vërtetë të godasë Talat Xhaferin. Për këtë kishte kohë dhe hapësirë. Shërbimi i sigurisë nuk ishte edhe aq vigjilent dhe i shpejtë në pengimin e kontaktit fizik.
Talat Xhaferi ishte në nivelin e detyrës dhe funksionit, gjakftohtë dhe i përmbajtur. Të linte përshtypjen sikur po lexonte skenarin e mbledhjes dhe po vepronte me fuqinë e inercisë. Dhe kështu, me një përplasje të shëmtuar para kamerave do merret populli njëfarë kohë dhe do i harrojë brengat e ditës. Karvani ecën më tej, ama askush nuk mendon dhe nuk e di se kur do mbërrijnë “germat ...” në destinacion.

Autori është ish-Ministër i Drejtësisë dhe Pushtetit Lokal i Maqedonisë