Bota Shqiptare

Shteti në pazar, heshtja e Prokurorit të shtetit dhe hipokrizia e mediave - Nga Jusuf Buxhovi

Sikur të mos mjaftonte deklarimi i paradoditshëm i Ambasadorit amerikan në Kosovë, Kosnett, se ushtarët amerikanë nuk kanë vdekur as për Shqipërinë e Madhe e as për Serbinë e Madhe,  që bashkimi kombëtar, si ideologji nacionaliste e shekullit të kaluar (për alternativë mund ta ketë unionin e shteteve shqiptare në BE dhe  vetëm me përkrahjen e aleatëve),  të mos kthehet në temë spekulative të debateve zgjedhore dhe madje, të anashkalohet fare (meqë  shteti i Kosovës si realitet politik i krijuar nga Perëndimi  paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit është i pakthyeshëm), vërejtja e Ambasadorit amerikan, jo vetëm që nuk u përfill, por çuditërisht nxiti edhe më shumë këtë çështje. U bart thuajse në të gjitha studiot televizive për t’u zhvlerësuar  tmerrësisht  dhe në mënyrën më të paskrupullt deri te licencimi  me sondazhe televizive e të ngjashme "për" dhe "kundër", sa që me të drejtë shtron edhe e çështjen e marrjes së licencës çdo televizioni apo radioje që e vënë në diskutim sovranitetin e Kosovës qoftë  si ide e bashkimit me Shqipërinë me anën e “referendumeve” fare të paqarta dhe fare të papërgjegjshme politikisht, gjoja për të "dalë nga pika zero", nga "anashkalimi dhe harresa nga aleatët", qoftë kur mohohet fare nga “Lista serbe”!

Natyrisht, se marrja e kësaj mase nuk duhet të jetë vetëm preokupim i Komisionit për Media të Pavarura, e as detyrim i përhershëm i KQZ-së, që partitë që nuk i nënshtrohen kushtetutës së Kosovës, simboleve të saj dhe betimit për të, të mos çertifikohen, po t’u merret e drejta e garimit sapo të hetohet përdorimir i sloganeve të “bashkimeve” kuturu, jashtë kontekstit diplomatik dhe politik të kohës, që rrezikojnë shtetin dhe qenien e tij.

Por, që KQZ, të veprojë si e pavarur dhe në përputhje me detyrimet nga shteti i Kosovës, rrugën është dashtë t’ia hapë Prokurori i shtetit si gardian i shtetit të Kosovës, ngaqë këtë e ka detyrë kushtetuese.  Kjo e ka obliguar dhe e obligon që të marrë masa të menjëhershme ligjore kundër gjithë atyre që atë dëshirojnë ta shohin “pjesë” të Shqipërisë ose “pjesë” të Serbisë, politikisht kjo e njëjtë, sepse, kushtetuta e Kosovës, neni i saj 1, përcakton qartë se Kosovës si shtet i ndalohet bashkimi, siç ndalohet edhe mbajtja e referendumeve për çështje të tilla. Pa hyrë në këto formulime kushtetuese dhe arsyet e tyre që gjithësesi lidhen me kompromiset e bëra për shpalljen e shtetit të Kosovës dhe të tjerat që e përcollën këtë akt madhor, në rrethanat kur e kemi shtetin dhe ai duhet të stabilizohet në të gjitha shtyllat e tij si shtet, Prokurori i shtetit, nuk duhet të hezitojë me rastin e hapjes së temave të tilla, të luajë strucin, por të marrë masa ligjore. Natyrisht se një veprim i tillë nënkupton një kryeprokuror shteti me integritet profesinal dhe moral, gjë që në Kosovë kjo sikur është pamundësuar nga klikat që kanë kapur shtetin dhe sot kërkojnë të fajësojnë aleatët pse ai ka probleme të mëdha me ligjin, korrupsionin, nepotizmin dhe problemet tjera që e pamundësojnë  atë për të qenë shtet siç duhet, por është koha që erërat e ndryshimeve t'i lëkundin edhe strukturat e tilla që më në fund t'i kthehen kodeksit profesional dhe betimit të  patriotizmit shtetëror, aq më tepër që këtë po e kërkojnë prej kohësh aleatët tanë, SHBA-ja, BE-ja dhe të tjerët.

Veprimi ligjor i domosdoshëm për t’u ruajtur shteti i Kosovës, që për fat të keq ka munguar, tash më shumë se kurrë duhet të kthehet në një mesazh të qartë diplomatik e politik, që u duhet dërguar miqve dhe aleatëve, pikërisht atyre që ndihmuan çlirimin nga Serbia dhe mundësuan krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, që të jepen dëshmi të ruajtjes së këtij kursi dhe jo të vënies së tij në dyshim.  Por,  mesazhi duhet t’u dërgohet edhe atyre që me hapjen e temave të tilla, sidomos në Beograd dhe Rusi, Kosovën, ndonëse shtet i pavarur me të drejtën e konfirmuar edhe nga GJND-ja dhe të  pranuar nga shtetet kryesore të botës (SHBA-të dhe shumica e vendeve kryesore të NATO-s), dëshiruan ose dëshirojnë që ta kthejnë te pika zero, siç u tentua para dy vitesh  në prapaskenat midis Vuçiqit, Thaçit dhe Ramës, gjoja për “arritjen e një marrëveshje historike me Serbinë” kur shihej se ajo duhej t'ia hape rrugën krijimit të Serbisë së Madhe dhe interesave ruse në rajon, gjë që me të shpejtë u pengua nga Uashingtoni dhe Berlini.

Natyrisht se temës së sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe vënies së saj në pazar nëpër studio televizive dhe tubime zgjedhore, me masat e menjëhershme ligjore, duhet t’i vijë fundi. Meqë në këtë mënyrë, demagogjia e “krijimit të balancimeve politike”, nga ata që kanë përgjegjësi për krijimin e kësaj gjendjeje  dhe atë dëshirojnë ta shfrytëzojnë për të mbetur në lojë me çdo kusht, madje duke e ndryshuar diskursin zgjedhor (nga ai parlamentar në presidencial), jo vetëm që nuk e ndihmon procesin e ndryshimit që pritet  dhe duhet të ndodhë gjatë këtyre zgjedhjeve, por e ngarkon atë me dyshimin e drejtë se po qe se vazhdon kjo retorikë e "Gardhiqeve kombëtare" jashtë interesave gjeostrategjike të aleatëve tanë,  pa qenë në gjendje që me asgjë t'i mbrojnë në rast se ata tërhiqen ose ndërrojnë anën, e gjitha mund të kthehet në një riciklim të klikave kriminale dhe oligarke, gjë që gjithë procesin do ta zhvendoste në binarët antihistorikë, që pastaj, e ka të vështirë të kthehet te rrjedha e duhur...

©Jusuf Buxhovi