Revolucion demokratik antiestablishment dhe antikorrupsion - Nga Lisen Bashkurti
- Published in Bota Shqiptare
Lisen Bashkurti
Ajo që pritej në Kosovë ndodhi. Vetvendosja me përfshirjen në listën e saj të Vjosa Osmanit dhe të një grupi nga Lidhja Demokratike fitoi bindshëm zgjedhjet e 14 Shkurtit 2021. Mbështetja popullore për këtë alternativë ishte më e madhe se votat e të gjitha partive të tjera shqiptare të marra së bashku, LDK, PDK dhe AAK. Ishte kjo një fitore e konsiderueshme, “referendare” sic e quajti lideri i VV, Albin Kurti. Po, përse votuan kosovarët?
1. Vote antiestablishment
Prej vitit 2008, kohë kur u shpall pavarësia e Kosovës deri në vitin 2020, Kosova është udhëhequr prej establishmentit të trashëguar nga paralufta dhe lufta e saj, pra nga Lidhja Demokratike, nga Partia Demokratike dhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Këto tre forca politike, në formula të ndryshme, herë legjitime dhe herë jolegjitime kanë krijuar koalicione, levizje dhe rotacione në krye të institucioneve kryesore të Kosovës. Duke u drejtuar nga fare pak figura politike, LDK, PDK dhe AAK krijuan një establishment koracë, të ngurtë, të pandryshueshëm, pa dinamikë, pa ndryshime dhe pa kurrëfarë zhvillimi social-ekonomik për vëndin.
Lidershipi i kësaj treshe, LDK, PDK dhe AAK pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, pavarësisht dinamikave të votës qytetare, me kombinacione politike nga lart-poshtë e sundoi Kosovën jo bazuar në parimet evropiane të qeverisjes, në legjitimitet, transparencë, llogaridhënie dhe gjithëpërfshirje. Kombinacionet politike krijuan një establishment nga lart-poshtë që ushqeu keq-qeverisjen e vëndit, me fryrje politike të administratës qëndrore dhe me nepotizëm, krahinarizëm e familjarizëm.
Establishmenti i fosilizuar dhe politizuar deri në ekstrem solli në administratën qëndrore dhe vendore rritje të injorancës dhe paaftësisë në drejtimin, administrimin dhe menaxhimin e politikave publike, për pasojë rënie të theksuar të ekonomisë, të punëve sociale, arsimit dhe shëndetësisë. Në tërësi Kosova nisi të bjerë në rënie të lirë. U rrit papunësia, varfëria, depresioni i rinisë dhe emigrimi.
Në politikën e Jashtme dhe diplomaci rënia ishte edhe më e madhe. Kosova nisi të bëjë hapa prapa në procesin e njohjeve ndërkombëtare. U izolua në procesin e integrimit në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale. Ngeci tërësisht në procesin e liberalizimit të vizave për në BE. Dialogu me Serbinë u fut në spirale të errëta dhe të paqarta, në alternativa dhe skenare të rrezikshme për Kosovën, Ballkanin dhe mbarë Evropën. U vunë në pyetje pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i vëndit. Reputacioni ndërkombëtar i Kosovës nisi të dëmtohej seriozisht.
Ndërkohë diplomacia e Kosovës, në të dy dimensionet, në Ministrinë e Jashtme dhe në trupin diplomatik të akredituar jashtë Kosovës u shndërrua në një sipërmarrje për dhurata e shpërblime politike dhe personale ose më saktë u bë një zgjatim i nepotizmit, krahinarizmit e familjarizmit të brendshëm në shërbimin e Jashtëm diplomatik. E keqja e administratës diplomatike brënda në MPJ u transferua edhe jashtë në ambasada e kosullata.
Pra establishmenti i vjetër në Kosovë u atrofizua tërësisht dhe mori me vete në këtë rrugë atrofizimi gjithë vëndin. Kishte ardhur koha për t’i thënë “mjaft” dhe qytetarët e Kosovës e kuptuan dhe reaguan me votën e tyre të lirë dhe demokratike për ta realizuar këtë vendim. Vota e 14 Shkurtit i tha “mjaft” establishmentit të vjetëruar, të fosilizuar dhe të atrofizuar nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria, nga nepotizmi, krahinarizmi dhe familjarizmi.
2. Votë antikorrupsion
Një nga plagët e hapura në Kosovë nga establishmenti i vjetër është korrupsioni dhe krimi i organizuar. Këto dy plagë kanë prekur gjithë sistemin kapilar të politikës dhe të institucioneve të politizuara publike të Kosovës. Liderët politikë të establishmentit të vjetër shfrytëzuan konjukturat e tranzicionit të administratave nga ish-Jugosllavia, te UNMIK e prej këtij të fundit te institucionet vendore për të tjetërsuar pasuritë e pronat publike të Kosovës, për të privatizuar dhe administruar ato si një mall pa zot. Gjithçka u kap nga politika.
E keqja, korrupsioni e krimi i organizuar u shtrinë si virus kapilarisht në të gjithë institucionet politike e shtetërore, duke e shndërruar vëndin në një truall të vjedhur e plaçkitur barbarisht nga fare pak duar dhe enturazhet e tyre.
E keqja më e madhe ishte zhytja në korrupsion dhe krim e shumë kontigjenteve të dala nga lufta çlirimtare e Kosovës. Nën petkun e luftës, të meritave, të sakrificave, nën aureolen e martirëve dhe dëshmorëve të rënë, nën identifikim të veteranit dhe të invalidit, u krijua një network korruptiv dhe kriminal që udhëhiqej, mbrohej dhe justifikohej nga lidershipi i establishmentit të vjetër të Kosovës. Nga kjo rrëshqitje morale, “luftëtarët” e luftës u bënë biznesmenë, bosë, me prona, toka, vila në fshatra e qytete, me veshje të modës së fundit dhe makina luksi mijëra eurosh. Kështu u krijua një zinxhir nga lart-poshtë. Nga kjo lidhje njëra dorë fëlliqte dorën tjetër dhe të dyja së bashku fëlliqnin fytyrën e gjithë shtetit të Kosovës.
Korrupsioni ushqen krimin e organizuar dhe ky i fundit, nga ana tjetër, mbështetet te korrupsioni. Prona, pasuritë dhe paratë publike në Kosovë u inkriminuan në një masë të konsiderueshme. Krimi i organizuar nisi të gjallërohej paralelisht me korrupsionin e lartë dhe kapilar. Mungesa e institucioneve të pavarura, profesionale dhe me integritet të drejtësisë dhe kapja e tyre nga establishmenti politik e shtetëror i krijuan klimë të lirë lulëzimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. U dobësua shteti i së drejtës, u cënuan liritë dhe të drejtat e njeriut, u rrezikua ekonomia e tregut të lirë.
Koha erdhi që këtyre problemeve të rënda t’u jepej një goditje e fortë mbarëpopullore. Dhe kjo ndodhi me 14 Shkurt me votën e lirë dhe të ndershme qytetare në Kosovë. Vota referendare ishte votë antikorrupsion dhe antikrim i organizuar. Ose me fjalë të tjera ishte votë për shtetin e së drejtës, për lirinë e të drejtat e njeriut, për ekonominë e tregut të lirë, pra, për ngjalljen e shpresës mbarëpopullore për ndryshim të thellë, të gjerë dhe të shpejtë.
3. Votë për tre prioritete
Në fushatën elektorale partitë politike në Kosovë hapën thasët e premtimeve. Por, qytetarët e Kosovën u treguan mjaft të zgjuar për të bërë seleksionimn e tyre, bazuar në prioritetet themelore. Kështu Vetevendosjea, Albin Kurti, së bashku me Vjosa Osmanin u votuan kryesisht për tre prioritete: së pari, për antikorrupsion e antikrim të organizuar, pra për çkapjen e politikës dhe shtetit prej tyre; së dyti, për mëkëmbjen e ekonomisë dhe zgjidhjen e problemeve sociale, pra për zbutjen e papunësisë dhe varfërisë, për mëkëmbjen e arsimit dhe shëndetësisë; së treti, për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare, pra për normalizmin e marrëdhënieve me Serbinë, zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare dhe integrimin në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.
Këto tre prioritete janë sfida të mëdha për qeverinë e re që do të dalë nga zgjedhjet e 14 Shkurtit 2021 në Kosovë. Renditja e prioriteteve tregon se ndryshimi i madh në Kosovë fillon nga zgjidhjet e brëndshme. Vëndi ka nevojë për një qeverisje të re, me parime evropiane të qarta me legjitimitet, transparencë, përgjegjshmëri dhe gjithëpërfshirje. Vëndi ka nevojë për rimëkëmbje ekonomike dhe sociale, të thellë, të gjërë dhe të shpejtë. Që të ngjallë shpresa te qytetarët për jetë, liri, siguri, punë e mirëqënie në vëndin e tyre.
E, pastaj, natyrisht Kosova ka nevojë edhe për zgjidhjet ndërkombëtare, siç janë thellimi dhe zgjerimi i marrëdhenieve me Shqipërinë, zhvillimi i dialogut me Serbinë për njohje reciproke, përparimi i integrimit në BE dhe NATO si dhe fuqizimi i marrëdhënieve strategjike me SHBA. Prioriteti për zgjidhjet ndërkombëtare lypet të paraprihet nga dy prioritetet e tjera, pasi vetëm një Kosovë me mirëqeverisje evropiane, pa korrupsion dhe krim të organizuar, me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social, me shtet të së drejtës dhe liri e të drejta njeriu, do të mund të ketë dinjitetit dhe autoritetin ndërkombëtar për të zgjidhur problemet ndërkombëtare në interes të qytetarëve dhe të shtetit te vet dhe në përputhje me parimet, vlerat e normat ndërkombëtare.
©Lisen Bashkurti











