Bota Shqiptare

Eh, nga t’i dijnë amerikanët këto punët tona?

 nga Albana Melyshi Lifschin

Mjekët i takon vetëm kur ke nevojë për ta. Rasti e solli që ta njihja doktor Peron, sic i thërrisnin shkurt këtu në Nju Jork. Atë kohë ai punonte në NYU Hospital. 
Para se të vija në këtë vend, pata kaluar një operacion të rëndë në spitalin kirurgjik të Tiranës. Qe një fund tetori i ftohtë. Më futën në sallën e operacionit pasi kishin vendosur aty një reflektor. Pas operacionit pashë njerëzit e mi tek koka e shtratit e disa nga kolegët e punës. Të gjithë po diskutonin lajmin e ditës: Ismail Kadareja ishte arratisur në Francë. Ai operacion u lidh në mënyrë të paharrueshme me atë ngjarje...

Katër vjet më pas unë ndodhesha në Nju Jork, kur papritur më filluan disa dhimbje të forta që më kujtonin ato të fazës pas operacionit, tek ecja korridoreve të spitalit duke u mbajtur pas muri. Iu nënshtrova disa vizitave mjekësore në klinika private. Provova edhe 'cat scan' për herë të pare, po prapë pa rezultat. Kursimeve të mia bankare po u vinte fundi, nga një vizitë në tjetrën dhe mjekët amerikanë nuk më jepnin asnjë shkak. Dhimbjet vazhdonin të frikshme. Qava hallin në telefon me një të njohurën time, ajo më tha: “Pse nuk shkon tek kirurgu i Elbasanit? Ai ka qenë nga më të mirët në Shqipëri dhe tani punon këtu në spital, në Manhattan”. 

Kështu ndodhi që unë njoha “kirurgun e Elbasanit”. Mjaftoi vetëm një vizitë e thjeshtë për të mësuar shkakun qesharak të dhimbjevë të mia: “Mos u tremb, se s’ke asgjë moj çupë,-më tha ai,-dhimbjet i ke ngaqë po të dalin penjtë e operacionit që të kanë bërë vite të shkuara. Atë kohë kur je operuar ti, ne s’kemi patur penj për të qenë, për të bërë qepjet. Qepnim me penjtë e Shkodrës që ishin si spango. Trupi yt nuk i ka absorbuar dot e po i nxjerr tani, pas kaq vitesh. Eh, nga t’i dijnë amerikanët këto punët tona?”

(fragment 'Shënime për Kirurgun e Elbasanit'). NYC, 2000

albanalifschin.tripod.com