In Memoriam Dalip Greca - Nga Ilir Levonja
- Published in Bota Shqiptare

Ilir Levonja, Florida
Me memorien time ka ecur paralel edhe emri i Dalip Grecës. Duhet të ketë qënë viti 1988 kur kam trokitur për herë të parë në zyrat e gazetës lokale të qytetit. Ajo ishte një godinë e re trekatëshe ku punonte një staf cilësor redaktorësh e gazetarësh. Aty dilte gazeta “Shkëndija”. Aty ka nisur edhe fjala ime, aty ishte Dalipi.
Më vonë me ndryshimet demokratike, u takuam rishtas tek “Ora e Fjalës”, gazetë që luajti një rol të rëndësishëm për qytetin. E më pas tek “Republika” në Tiranë, ku për vite me radhë thamë fjalën tonë në lidhje me demokracinë e brishtë shqiptare. Më vonë rrugëtuam rishtas tek gazeta “Illyria” e shqiptarëve në New York. Më tutje e deri kësaj mbrëmje, tek gazeta “Dielli”, po e shqiptarëve të Amerikës së madhe, apo i “Vatres”.
Nga i gjithë ky rrugëtim kam kuptuar se nuk ka fat më të madh për atë që militon të bëhet gazetar, kur në faqe të tëra të shkruara mbruhet deri ekzistenca kombëtare, se sa rëndësi ka qënia pjesë e një shkolle me bashkohës të tillë. Kësisoj me shiun e ngjizur të Lushnjes sime, nga dera e asaj redaksie, një fat darsian i parapriu mendimit tim eseistik. Sa gati më duket e pakonceptueshme sikur nesër të shkoj e të shtyj derën e “New York Times”, e të mos gjej aty djalin e Darsisë, lushnjarin tim, Dalipin.
Një nga kolumnistët më cilësorë që i ka i dhënë galerisë së shkollës lushnjare përmasa kombëtare. Kur them kombëtare, kini parasysh këto metropole, Tiranë, Prishtinë, Shkup, Podgoricë, Korçë, Shkodër, Vlorë, Gjakovë, Ulqin, Tetovë, Mitrovicë, Lezhë, Krujë, Berat, Prizren. Po aq malësor, po aq myzeqar, po aq shqiptar. Kur e shoh sot se sa e pasur është memoria ime, gojë plot të them, qofsh i bekuar qytetar intelektual i dheut tim!
©Ilir Levonja










