Testi që duhet kaluar për një vend pune në Administratën Publike Shqiptare
Për të fituar një vend pune është bërë e vështirë ditët e sotme. Qeveria shqiptare ka miratuar që prej vitit 2013 ligjin për nëpunësin civil e pas kësaj krijoi edhe një alamet shkolle për trajnimin e nëpunësve. Në fakt e gjitha është një dështim, pasi nga vëzhgimet dhe përvojat e qytetarëve me shërbimet publike ato rezultojnë keq e mos më keq. Tek-tuk ka nëpunës të mirë, gjynah t’ia hamë hakun. Gjithmonë shefat e mbajnë një kal pune nëpër zyra. Por, pse po katandiset kështu administrata publike shqiptare?
Kjo ndodh sepse ka një komision që i teston me shkrim dhe me gojë këta kandidatë. Por për çfarë i teston? I teston për shumëçka, por më të rëndësishmet duket se kanë 11 pikat e mëposhtme. Nëse i përgjigjeni dhe i përmbushni me sukses shumicën prej tyre, urraaaa, ju jeni përzgjedhur! Urime!
- A ke vite libër pa lexuar?
- A di të shkruash plot gabime?
- A di të bësh selfie?
- A ka punuar dikush nga familja për partinë?
- A ke një diplomë të fituar me miq ose para?
- A mund t’i veshësh në zyrë minifundet dhe dekoltetë?
- A je gati të durosh 8 orë në një vend pune, 5 prej të cilave në taraca apo korridore duke pirë kafe e cigare?
- A di t’i përdorësh rrjetet sociale?
- A je gati të hapësh disa llogari e të komentosh kundër atyre që shajnë shefin, kudo të mundesh me libër shtëpie?
- A sakrifikon dot për nevojat e partisë, kohën dhe lirinë tënde?
- A mund të artikulosh të paktën dy fjali, preferohen të kenë lidhje me punën, pa u skuqur, ose pa belbëzuar?
Nëse i përgjigjesh me PO këtyre pyetjeve, dhe aq më mirë nëse u mundove pak për të gjetur “P” në tastierë, ti e ke fituar një pozicion në institucionet e administratës publike shqiptare.
Me konsideratë,
Departamenti i Administratës Publike
©Flasshqip.ca











