Helidon Xhixha i dhuron Tiranës skulpturën “Cosmic S”. Zbuloni domethënien!
Artisti shqiptar me famë ndërkombëtare Helidon Xhixha ka krijuar për Tiranën skulpturën “Cosmic S”. Kjo vepër është realizuar brenda tre muajve dhe është vendosur në 15 tetor në lulishten e rrethrrotullimit në hyrje të kryeqytetit.
Në përurimin e saj, autori i veprës, artisti Helidon Xhixha theksoi se kjo është një dhuratë për Tiranën, ndërsa u shpreh se qyteti është kthyer në një shembull të zhvillimit të arkitekturës dhe urbanistikës.

Helidon Xhixha
Skulptura “Cosmic S” është projektuar si dy piramida të parregullta të balancuara me përpikmëri njëra mbi tjetrën, që pasqyrojnë dy përqasje të ndryshme, të dyja të domosdoshme për të bashkë-ekzistuar në një shoqëri që do të lulëzojë në një botë në të cilën vetë populli i saj dhe kulturat e ndryshme që përfaqësojnë janë të lidhura ngushtë.
Piramida e parë është bërthama instinktive dhe shpirtërore e njerëzimit. Është realizuar me majën e drejtuar kah poshtë, ku ëndrrat dhe vlerat pozitive janë vendosur në nivelin më të lartë dhe përhapen poshtë, drejt një kanali të vetëm komunikimi, të përpunuar me kujdes, ose më saktë drejt shpirtit, ende thellësisht “i transmetueshëm” në natyrë. Piramida e dytë është bota, sikundër perceptohet dhe jetohet nga vetë banorët e saj, nga personat që përdorin “shërbimet” e saj, dhe për nga natyra është e pozicionuar nga poshtë lart. Sigurisht, është edhe më e madhe dhe përbëhet nga një rrjet i ndërlikuar diskutimesh, marrëdhëniesh dhe ndërveprimesh.











