Aktualitet

Miratohet Statusi i Këshillit Koordinativ të Diasporës

Qeveria shqiptare ka miratuar dje Statusin e Këshillit Koordinativ të Diasporës. Sipas Vendimit nr 320 i datës 15.05.2019, 15 anëtarët e KKD-së gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës së tyre do të gëzojnë një status të veçantë gjë që parashikon disa të drejta dhe detyra. Kujtojmë se dy anëtarët e Këshillit Koordinativ të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze janë Dr.Adriana Bejko dhe Inxhinier Ardian Radovicka.

Në funksion të përmbushjes së misionit të anëtarëve të KKD-së në forcimin e  marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës dhe Diasporës, anëtarët do të kenë mundësi dhe të drejtë të kërkojnë informacione nga institucionet shtetërore për fushat përgjegjëse që ata mbulojnë.

Gjithashtu anëtarët mund të propozojnë akte administrative pranë institucioneve shtetërore që lidhen me diasporën shqiptare, si dhe mund të marrin pjesë në seancat dëgjimore në Komitetin Shtetëror të Diasporës ose komisionet e Kuvendit të Shqipërisë për çështjet që kanë të bëjnë më interesat e diasporës shqiptare. Sigurisht që koordinimi i punëve dhe komunikimi mes tyre do të realizohet përmes adresës zyrtare elektronike nga domain-i @diaspora.gov.al

Rolin e sekretariatit teknik për këtë strukturë do ta luajë Agjencia Kombëtare e Diasporës e cila do të merret me çështjet administrative si dhe fondet. Për shembull, sa herë që anëtarët do të duhet të mblidhen në takime, kjo agjenci do të menaxhojë shpenzimet e udhëtimit, akomodimin, si dhe dietat për organizimin e mbledhjeve zyrtare.

Për shkak të statusit të tyre të veçantë anëtarët e KKD-së do të trajtohen me prioritet nga ambasadorët dhe përfaqësuesit e misioneve diplomatike në vendet përkatëse.  

Më poshtë mund të lexoni vendimin e plotë:

https://diaspora.gov.al/…/Vendim-p%C3%ABr-statusin-e-an%C3%…

©FlasShqip.ca