Një grindje me Nanon - Nga Agim Xhafka
Qe kryeministër pas 1997 dhe e lëshoi pa frena gojën. Çfarë nuk nxirrte! Tallej me të vetët, shpifte për opozitën, premtonte qiqra në hell. E pikërisht në ato ditë, nga zemërata që më mbiu në tru, nga pështirosja që ndjeja për një qeveritar të tillë, shkrojta një editorial te “Koha Jonë” me titull “Pirdh, o Nano, pirdh”. Sa e dërgova në redaksi më morën në celular e më kërkuan të zbusja titullin.
- Jo, - u thashë. - Kam emrin tim te shkrimi e mbaj unë përgjegjësi.
Të nesërmen u botua me atë titull. Normal që pati jehonë se atë mot gazeta “KJ” lexohej si Facebook sot. I pari më telefonoi Rama:
- Ti je i çmendur, - më tha dhe qeshte.
Për çudi, pas tij më telefonoi vetë Nano:
- O shkërdhatë, - filloi. - Do të të hedh në gjyq!
- Përse? - e pyeta.
Heshti pak se siç duket nuk dinte si ta formulonte akuzën. Pirdh nuk është shpifje.
- Për fyerje, - e saktësoi.
Nisa të qesh.
- Çfarë ke që zgërdhihesh?
- Se nuk më çon dot në gjyq, - i thashë.
- Pse, mos kam frikë nga ti? - u tall.
- Frikë jo, po do tallesh më keq. Se pasi të nisë gjyqi do shkruajnë gazetat dhe do flasin televizionet: “Po bëhet gjyqi për shkrimin Pirdh, o Nano, pirdh”. Nëse shtyhet do thonë sërish: “U shty gjyqi pirdh, o Nano, pirdh”. Ndaj lere me kaq se më tej publicitet për mua është.
Nga ana tjetër e celularit buçiste e qeshura.
- Hajde pimë kafe ndonjë ditë e pjerdhim të dy, - më tha.
M’u duk racionale, pranova.
© Agim Xhafka





















