Aktualitet

Ksenofon Krisafi, negociator për detin: Shqipëria “blindon” ekipin përballë Greqisë

Mësohet se me kërkesën e Presidentit të Republikës Meta dhe Ministrit të Jashtëm Bushati, ekipit për negocimin e Marrëveshjes me Greqinë, pjesë e të cilës mbetet tema delikate e kufirit detar, do ti bashkohet një nga ekspertët më të njohur të të Drejtës Ndërkombëtare Publike, Profesor Ksenofon Krisafi.

Krisafi, dikur pjesë e negociatave për kufirin detar me Italinë në fillim të viteve 90-të, njihet si një nga kundërshtarët më të ashpër të Marrëveshjes me Greqinë në vitin 2007, akt juridik që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese. Sipas deklaratave të tij për kamerat e TV Klan, aktualisht “nuk do të ketë më ndërhyrjë brutale të politikës në kompetencat e delegacionit”, delegacion që sipas tij, ka një përzgjedhje të kujdesshme që i jep prioritet kompetencës profesionale.

Ndërkohë, eksperti i njohur eshtë shprehur me rezerva për afatet, të cilat mund të shkojnë, sipas eksperiencave të ngjashme, 5 vjet e më shumë. A do të shtyhet produkti përfundimtar për në “kalendat greke”? Kjo mbetet për t’u parë sepse sipas Krisafit, “është fjala për të vendosur kufij dhe këta kufij do të vendosen në një zonë për të cilën flitet gjerë e gjatë se ka pasuri të konsiderueshme”. “Ato duhen ndarë siç i takon të ndahen”- ka përfunduar ai prononcimin e tij të parë publik në lidhje me një temë shumë të ndjeshme, pa dhënë më shumë detaje.

Po kush është anëtari më i ri i ekipit negociator shqiptar përballë Greqisë? Përveç karrierës akademike si profesor dhe ish-Dekan i Fakultetit Juridik të Universitetit të Tiranës, ai zotëron një eksperiencë të gjatë në radhët e diplomacisë shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme. Drejtor i Drejtorisë së Çështjeve Juridike e Konsullore dhe Traktateve Ndërkombëtare, Ambasador pranë OKB në Gjenevë, ai ka qënë gjithashtu në vitet 2002-2005 Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe këshilltar diplomatik i Kryeministrit të asaj kohe, Fatos Nano. Aktualisht, Ksenofon Krisafi është Profesor dhe Dekan i Fakultetit Juridik në Universitetit Europian të Tiranës si dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

@FlasShqip.ca