Aktualitet

Tërmeti godet Shqipërinë, pasojat tragjike

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.4 ballë dhe me intensitet ndjeshmërie 8 ballë goditi Shqipërinë në orën 3:55 të mëngjesit të datës 26 Nëntor. Epiqendra mësohet se ka qenë Durrësi, specifikisht Thumana, ku janë shëmbur tre pallate dukë zënë në rrënoja mbi dhjetra banorë. Mediat në Tiranë raportojnë deri tani se kanë humbur jetën 24 persona, 650 të lënduar dhe fatkeqësisht nuk dihet ende fati i 20 të tjerëve. Kërkimet ende vazhdojnë me shpresën e shpëtimit të jetëve.

Të ndodhur përballë një tragjedie dhe fatkeqësie natyrore kombëtare, shqiptarët organikisht shfaqën një nga vlerat e tyre më të çmuara, solidaritetin. Forcat e Sigurisë së Kosovës morën rrugën drejt vendit amë, Shqipërisë duke ju ofruar kolegëve jo vetëm vëllazërinë, (edhe pse burime sekondare shprehen se iu desh të paguanin taksë në kufi), por edhe ekspertizën, krahas fqinjëve grekë. Përveç fotove tronditëse që qarkullojnë në media, me fëmijë e të moshuar në rrënoja, të cilat për etikë nuk mund t’i postojmë, foto që të lënë pa fjalë janë gjithashtu edhe ato që përcjellin heroizmin e ushtarakut

e të zjarrfikësit

apo madhështinë e qytetarit anonim që dërgon ushqime e veshmbathje.

Ndërkohë shqiptarët nëpër botë janë solidarizuar me bashkëatdhetarët dhe të afërmit e tyre duke kontribuar financiarisht dhe shpirtërisht për të mbijetuarit e fatkeqësisë.

Anila Hyka Smørgrav, anëtare e Këshillit Kombëtar të Diasporës ka bërë apel nga vendngjarja për të kontribuar në nismën Albanian earthquake victims 2019. Duke informuar për ngritjen e kampit me çadra në Thumanë me ndihmën e ushtrisë dhe vullnetarëve, ajo bën me dije nevojat emergjente për mjetet bazike për të kaluar natën njerëzit në nevojë. Ndihmat do të mblidhen tek Teatri Kombëtar, ku vullnetarë me zemër të madhe punojnë pa lodhje në shërbim të jetës dhe shpresës.

Qytetarë të panumërt sipas mundësive, mjeteve e rrethanave kanë shprehur dhimbjen për ngjarjen dhe suportin për të mbijetuarit. Ndërkohë dita e nesërme, 27 Nëntor është shpallur Ditë Zie Kombëtare.

FlasShqip.ca