Vdes agjenti special i FBI në Tiranë
Hetuesi shqiptaro-amerikan 39-vjecari Hamdi Kosturi, që koordinoi punën e FBI me policinë shqiptare për finalizimin me sukses të mega-operacionit të koduar “One If – By Land” është ndarë nga jeta si pasojë e një infarkti.
Kjo humbje ka ndodhur vetëm një javë pas operacionit ku u zbuluan 7 grupe të strukturuara kriminale në shtete të ndryshme, të cilat kishin trafikuar rreth 1 mijë shqiptarë në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ve dhe Kanadasë.
Kosturi ishte agjent special i Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Departamentit Amerikan të Shtetit, të atashuar pranë ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
DSS është organizata amerikane e zbatimit të ligjit jashtë vendit. Detyrat e Agjentëve Specialë të DSS-së, përfshijnë mbrojtjen e misioneve diplomatike të ShBA-ve, diplomatëve të ShBA-ve dhe vizitat e personaliteteve të huaja, kryerjen e hetimeve kriminale kundër falsifikimit të vizave dhe pasaportave, kundër-terrorizmit dhe kundërzbulimit brenda dhe jashtë vendit.
Hamdi Kosturi, ishte nga Fushë-Kruja. Ai kishte emigruar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1999-2000, dhe kishte arritur të futej në FBI.
Për nder të tij u organizua një ceremoni në ambientet e Policisë së Shtetit ku mori pjesë edhe Ambasadori amerikan në Shqipëri Donald Lu. Nënës dhe vëllait të Hamdi Kosturit, iu dorëzua një dekoratë mirënjohjeje për kontributin e rrallë që 39-vjeçari ka dhënë gjatë zbatimit të misionit të tij.











