Arben Malaj: Tarifë për Rrugën e Kombit por dhe përgjegjshmëri për llogaritjen
Ish-ministri i Financave Arben Malaj mendon se Rruga e Kombit kërkon kosto të mëdha mirëmbajtje, pasi dëmtimi i saj po bëhet kërcënues, verifikuar kjo me dëmtimet e disa pjesëve të saj dhe numrin e lartë të aksidenteve. Sipas tij, nuk kemi të bëjmë me një taksë por me një tarifë shërbimi.
“Ndryshe nga taksat, tarifat e shërbimeve synojnë të mbulojnë kostot e shërbimit dhe një normë fitimi të arsyeshme. Kjo kërkon përgjegjshmëri profesionale për llogaritjen e tarifave, mbikëqyrjen e shpenzimeve të kryera dhe parandalimin e çdo abuzimi potencial për cilësinë e përdorimit të çdo të ardhure nga tarifat”-ka deklaruar Arben Malaj në një intervistë për ekonomix.al
Sa i përket çështjes së efekteve të tarifës mbi bizneset kosovare ish–ministri shprehet se “Rruga e Kombit” është aksi kryesor që synon të integrojë logjistikën infrastrukturore shqiptare me rrjetet rajonale në funksion të rritjes së bashkëpunimit ekonomik rajonal. Koordinimi me Kosovën por edhe studimi i efekteve në nivel rajonal i kostove që kanë portet, aeroportet dhe autostradat i shërben më mirë ambicieve për ta përfshirë më mirë ekonominë e Shqipërisë në ekonominë rajonale.
Si një profesor ekonomie, Malaj është treguar i matur në përcaktime pa baza studimesh. Pa statistika profesionale të strukturës mjeteve të turistëve që përdorin këtë aks rrugor, ai nuk ka dhënë një përgjigje të qartë lidhur me efektet në turizëm të tarifës ndaj rrugës.
Në intervistë është sjellë në vëmëndjen e publikut gjithashtu se projekti i Rrugës së Kombit është diskutuar gjatë mandatit 2001-2005 por nuk është rrezikuar me financime me kosto tregu në atë kohë për të shmangur një krizë financiare të mundshme, duke patur parasysh eksperiencat jo pozitive të vendeve të tjera, ku financimi i infrastrukturës me kosto tregu, kishte prodhuar krizë të borxheve.
Lidhur me abuzimet e diskutuara ndër vite me rrugën e Kombit, Malaj distancohet, duke sugjeruar se kjo çështje i përket strukturave përgjegjëse për mbikëqyrjen e investimeve publike dhe nga autoritetet kushtetuese për luftën kundër korrupsionit.
Referenca: Ekonomix.al











