Protesta për rrugën e Kombit
Banorët e Kukësit, Kosovës e të Hasit por edhe mbështetës të tjerë, u ngritën sot në protestë kundër tarifës për rrugën e Kombit. Pagesa për rrugën e Kombit nisi të aplikohet të mërkurën, me tarifa nga 2.5 euro për motorrë, në 5 euro për makinat e vogla e deri në 22.5 euro për kamionët e mëdhenj.
Protesta nuk u zhvillua me nota paqësore sic ishte lajmëruar, por ajo shkoi deri në 4 orë përleshje, ndërmjet qytetarëve me policinë. Më pas u arrit një marrëveshje provizore mes tyre dhe banorët tashmë janë në pritje të një takimi me përfaqësues të lartë të qeverisë. Pas kësaj mësohet se qarkullimi ka vijuar lirshëm.
Bëhet me dije se si pasojë e protestës, gjatë së cilës janë hedhur gurë dhe iu vu zjarri sporteleve, janë plagosur si policë ashtu edhe disa protestues. Pasi edhe policia iu përgjigj dhunës së protestuesve duke vënë në përdorim shkopinjtë e gomës.
Ndërkohë pati reagime publike nga zyrtarë të lartë shqiptarë duke filluar me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta i cili ka shprehur shqetësimin e tij për situatën e krijuar në Rrugën e Kombit dhe keqardhjen për personat e lënduar gjatë protestës së sotme. Ai bëri thirrje për evitimin e dhunës dhe për vetëpërmbajtje dhe dialog e mirëkuptim me qëllim normalizimin e situatës. Presidenti kërkoi dhe kthimin e lëvizjes normale të automjeteve dhe qytetarëve në pritje.
Vazhdoi me Kryeministrin Rama i cili përmes një statusi në Facebook dënoi dhunën e qytetarëve.
“Dhuna barbare mbi pronën e përbashkët dhe reagimi i dhunshëm ndaj forcave të rendit në Kukës, do të marrin përgjigjen e merituar me të gjithë fuqinë e ligjit mbi këdo që ka ngritur dorën e paligjshmërisë! Ta harrojnë dhunuesit e frymëzuesit e tyre se ia dalin dot mbi ligjin!” -shkruan Rama. Por një komunikim për mediat i Kryeministrit Rama, lidhur me qëndrimin zyrtar të qeverisë mbi protestën, pritet të shfaqet gjatë orëve në vazhdim.
Nga ana tjetër Ministri i Rendit Fatmir Xhafaj deklaroi se “Policia e Shtetit në zbatim të ligjit, do të ketë një përgjigje të ashpër për çdo person që ka nxitur dhe është përfshirë në aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe që kanë sjellë një dëm të madh ndaj pronës publike dhe private. Kush nxit dhunën dhe anarshinë do të marri përgjigjen e merituar ligjore!”











