Aktualitet

Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkën

Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkën. Pas të premtes së zezë, kur Kryqi së bashku me Epitafin ku ndodhet trupi pa jetë i Krishtit del nga Kisha dhe del nëpër qytet në mënyrë që gjithë qyteti ta shohë se Jezus Krishti dha jetën për shpëtimin e tyre. Erdhi e shtuna e madhe.

Paradite përjetohet zbritja e Jezus Krishtit në botën e vdekjes dhe fitorja e Tij aty. Himnet e ditës na kujtojnë se Ferri, Vdekja dhe Mëkati u mposhtën me vdekjen e Krishtit dhe na parapërgatitin për Ringjalljen e Tij. 
Të Shtunën e Madhe në darkë në ora 23:00 fillon shërbesa e Ngjalljes dhe të Dielën e Pashkës, në ora 00:00 besimtarët ftohen të marrin ”Dritë nga drita që nuk perëndon”dhe jepet lajmi triumfant: “Krishti u ngjall se vdekurësh me vdekje, vdekjen shkeli edhe të varrosurve jetën u fali!”.
Ungjilli i Ngjalljes lexohet jashte kishës, në mënyrë që e gjithë bota ta dëgjojë se Krishti u ringjall së vdekurësh.
Më pas vazhdon shërbesa e ngjalljes si dhe liturgjia hyjnore, Në fund lexohet një ftesë që të gjithë sa kreshmuan dhe sa nuk kreshmuan, janë të ftuar të marrin sot pjesë në gëzimin e Ngjalljes së Shpëtimtarit Krisht. Besimtarët marrin pjesë nga trupi dhe gjaku i Tij nëpërmjet kungimit.

Një dhuratë tradicionale e Pashkës janë vezët e kuqe. Ngjyra e kuqe simbolizon gjakun e Krishtit dhe përplasja e tyre simbolizon carjen e pushtetit të Ferrit me ngjalljen e Krishtit. Vezët janë simbol i lindjes së jetës nga guacka e vdekjes.

Gjatë Pashkës Ortodokse flitet se ndodh gjithmonë në Jerusalem Mrekullia e Dritës së Shenjtë, e cila zbret në mënyrë të pashpjegueshme cdo të Shtunë të Madhe në ora 12 në drekë mbi Varrin historik të Jezus Krishtit dhe më pas shpërndahet në të gjithë botën ortodokse.  Java që pason Pashkën quhet Java e Ndritshme.

Flas Shqip  uron të gjithë besimtarët ortodoksë Gëzuar Pashkën!