Një krahasim Rumani-Shqipëri për reformën në drejtësi
- Nga: Zef Preçi
Lexova një shkrim mbi reformën në drejtësi në Rumani. Përshtypja e parë që pata është që në Rumani, me argumente ligjore të plota ose jo, me kundërshtime dhe pranime të akuzave ndaj zyrtarëve dhe oligarkëve të lidhur me ta, nën presion publik dhe ndërkombëtar, lufta kundër korrupsionit si rezultat i reformës në drejtësi ka filluar të jape rezultate. Po në Shqiperi shtrohet pyetja?
Nuk dua të bëj Kasandrën, por në se “reforma” do të përfundojë siç është nisur, do të jetë vështirë të flasësh për rezultatet ...
Së pari, në ndryshim nga Rumania, këtu përpara se të flasin institucionet (psh. të vetting-ut), flasin portalet e sponsorizuara nga qeveria.
Rezultati: dëmtim i provave që një ditë duhet të përdoren në gjyq edhe për ndëshkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë abuzuar me detyrën, si dhe largim vëmendje nga “peshqit e mëdhenj” të vërtetë, politikanët e majmur me mundin, djersën e fukarenjve që shtohen përdite në këtë vend.
Së dyti, në se në Rumani akuzohen politikanë dhe këta të fundit tentojnë t’i shmangen ndëshkimit duke ikur jashtë vendit, tek ne nuk ka të akuzuar të tillë me përjashtim të ndonjë “cironke” në pushtet vendor apo “peshku të ngrirë” pa pushtet dhe pa mandat ministri a deputeti ...
Rezultati: përqëndrim i pushtetit gjyqësor në persona të afiluar me qeverinë deri sa edhe nëpunës të lartë të policisë dhe kriminelë të njohur ndërkombëtarisht i fshihen lehtësisht drejtësisë dhe askush nuk bën asgjë për ndalimin e tyre e për t’i nxjerrë përpara drejtësisë.
Së treti, në Rumani oligarkët po bëhen objekt ndëshkimi për shkak të pasurimit falë lidhjeve me pushtetin, evazionit fiskal që kanë shkaktuar dhe financimeve të paligjshme të fushatave zgjedhore. Ndersa tek ne, sa më shumë thellohet polarizimi social dhe rritet shqetësimi publik për mungesën e konkurrencës dhe deformimet e sistemit që po vrasin shpresën për të ardhmen e vendit, aq më shumë forcohen lidhjet midis oligarkisë dhe elitës politike drejtuese, e cila është e shkëputur dukshëm nga realiteti i trishtë që prodhon përditshmëria e këtij vendi.
Rezultati: në se njerëzit që qeverisin motivohen nga i njejti mentalitet feudal që e sheh pushtetin si pronë dhe sektorin publik si “mall pa zot”, edhe produkti qeverisës është i njejtë. Varferi, mjerim dhe humbje shprese. Dmth janë njerëzit dhe jo sistemi, se sistemi është një tufë ligjesh pa vlere në se njerëzit që qeverisin anashkalojnë detyrimin për respektimin e tyre.
Mbas kësaj, të flasësh sot për reformën në drejtësi, është njëlloj siç flitej dikur për “luftën në Vietnam” apo “për përpjekjet e popullit palestinez për liri e pavarësi”, dmth pa lidhje me kontekstin problematik social ekonomik e politik që po kalon Shqipëria sot...











