Aktualitet

Morali i javës kuksiane

Nga: Afrim Krasniqi

Java kuksiane? Të gjithë në vendin e gabuar, me fjalët e gabuara dhe me vendime të gabuara. Ka pasur një ide se kryeministri u dobësua nga protesta dhe u dorëzua prej saj.

E kanë gabim. Ai fitoi kohë dhe kaq. Sapo të kalojë java kuksiane, ai do të jetë më i ashpër, më arrogant, më pak transparent, madje edhe tallës me ata që ishin kundër tij.

Kukësi e kuksianët do të harrohen, taksat do rriten, kritikët do të ulen në numër, oligarkët do ribashkohen për koncesione e taksa të tjera të reja, dhe i gjithë sistemi i tij do të bëhet edhe më i korruptuar, më i mbyllur dhe më kontrollues ndaj shoqërisë.

Është tipar i modeleve politike të llojit të tij, e drejtuesve politikë të llojit të tij, e mentaliteteve të politikanëve si ai dhe e vendeve me dominim oriental si Shqipëria.

Shumë prej deputetëve tanë, përfshirë kryeministri dhe ish kryeministri dhe ithtarët e tyre të pasur që janë emëruar në lista, kanë nevojë ti rikthehen edukatës morale në klasën e tretë dhe të katërt.

Kanë nevojë të mësojnë se çfarë është respekti, çfarë është etika, çfarë është komunikimi, çfarë është shoqëria, çfarë është shteti, çfarë është demokracia, çfarë është qytetaria dhe çfarë është përgjegjësia publike e personale.