Thirrje që të lëndojnë zemrën
- Nga: Petro Dhimitri
Ndjeva një therje në zemër kur lexova në gazetat e mëmëdheut se kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i bëri thirrje popullit të mos i paguajë taksat shtetit. Për një çast mbylla sytë dhe më dolën në përfytyrim ditët e çmendura të vitit 1997, kur Shqipëria për 3 ditë nuk pati shtet. Krismat e pushkëve nuk kishin të rreshtur. Nuk luftohej vetëm kundër qiellit, siç shkruan disa gazetarë të Perëndimit. Ne po shkrepnim armët edhe kundër njeri-tjetrit.
Sa qindra bij nënash u vranë, sa dyqane u plaçkitën, sa gjak u derdh dhe sa mëri të tjera që kërkonin hakmarrje, lindën në ato tre ditë pa shtet? Dhe vrasjet e të shtënat e armëve vazhduan edhe kur shteti rifilloi funksionimin e tij të çalë. Kur nisnin ato, vajza studente e një gjitoni, nga frika e ndonjë plumbi rikoshet, futej e strukej nën tavolinë. Edhe 16 vjeçarët kishin armë, tregtonin armë, kërcënonin me armë që i morën kur u hapën depot …
Tani po kthehem te thirrja antishtet e kryetarit të opozitës. Që të mos i paguajmë shtetit taksat, do të thotë që Shqipëria të mos ketë para për administratën e saj. Po jo vetëm kaq. Do të ketë shkurtime drastike në ushtri ose ajo nuk do të ekzistojë. Shkollat do të mbyllen, se nuk ka rroga për arsimtarët. Spitalet e shtetit edhe më keq. Dyert e tyre kanë për t'u dyllosur. As policia nuk ka për ta pasur të gjatë për mungesë fondesh. Kjo sepse shteti nuk është kompani ndërtimi, tregtimi apo fabrikë. Shteti në sistemin tonë nuk është më pronari i tërë vendit, si në socializëm. Shteti kapitalist mbahet thuajse vetëm nga taksat.
Të klithësh mos paguaj taksat o milet, do të thotë të shkatërrosh shtetin për t'i hapur rrugën kaosit, si premisë që ti të vish përsëri në krye të qeverisjes. Eh, sa i lakmueshëm qenka posti i kryeministrit … Bukur!
Po e zëmë se Rama ra, iku e theu qafën dhe hypi në fron Lulzim Basha. Unë kam të drejtë të shtroj pyetjen: si ka për ta mbajtur dhe drejtuar shtetin kur njerëzve u ka thënë të mos paguajnë taksat? Unë e di që atëherë ai ka për ta ndërruar pllakën e do thotë që taksat duhen paguar, sepse ne jemi të ndershëm dhe do të punojmë për të mirën tuaj ... E ç’do ndodhë në se opozita e radhës do vazhdojë po me të njejtën thirrje për të mos paguar taksat, thirrje që i vjen për shtat vetëm njerëzve dritëshkurtër?
Në këtë qorrsokak i shtyn sipas meje kreu i opozitës njerëzit e thjeshtë, vetëm e vetëm që të vijë sa më shpejt në qeverisje duke shfrytëzuar pakënaqësitë e ndryshme, duke dhjetëfishuar rezonancën e tyre për të krijuar konflikte shpërthyese.
Kjo thirrje mbështet (mbase edhe i nxit) pakicat agresive të të pakënaqurve për të shkatërruar e djegur, për të bllokuar edhe rrugët në emër të së drejtës së nëpërkëmbur duke bërë një lloj vetëgjyqësie.
Rasti më i freskët i takon protestës në Kukës për tarifën në rrugën e kombit. Pati konfrontim dhe shkatërrime. Pse? Vallë nuk mund të kërkohej tjetër rrugë zgjidhjeje përmes bisedimesh?
Po e pranojmë se nuk e ke nxitur ti revoltën, po pse i merr në mbrojtje njerëzit që shkatërruan objektet e rrugës? Në cilin shtet demokratik është parë që njerëzit të cilët kryejnë një demtim kundër pronës private ose shtetërore të mos gjykohen dhe dënohen?
Si për të mos mjaftuar thirrja mos paguani taksa shtetit (sikur ai të jetë shtet i Edi Ramës ose i PS-së) Basha e thellon edhe më tej platformën e tij të dhunshme, duke u bërë thirrje gjithe shqiptarëve që “të vazhdojmë së bashku kryengritjen qytetare..." A mund të jetë qytetare një kryengritje me shkatërrime?
Kjo thirrje më kujton kohën kur Sali Berisha, më 14 shtator 1998, me tanket e gardës donte të rrëzonte kryeministrin Fatos Nano që në fakt e rrëzoi, duke pushtuar edhe Radiotelevizionin. Nano ia mbathi dhe u duk për një moment sikur kundërshtari i tij erdhi përsëri në pushtet. Por në fakt çfarë ndodhi?
U konfirmua që bota demokratike nuk pranon rrëzime qeverish me anën e dhunës. Urgjentisht erdhi në Tiranë në atë kohë Madeleine Albright sëbashku me një përfaqësues të BE. Përpara Kryeministrisë ata folën qartë dhe prerë se bota e qytetëruar nuk i pranon këto lloj skenaresh me armë, duke i dalë hapur në mbrojtje qeverisë legjitime të kohës, jo personave.
Dihet se ç’ndodhi më vonë. Berisha u kthye në pushtet, po ama vetëm përmes votës së popullit.
Përmes asaj vote është për të dytën herë kryeministër edhe Edi Rama sot. Përpjekjet për ta rrëzuar atë dhe mazhorancën nga qeverisja përmes një kryengritjeje qoftë ajo qytetare, qysh në embrion janë të dështuara. Komuniteti ndërkombëtar kategorikisht nuk i pranon dhe nuk i njeh qeveritë që vijnë në pushtet përmes dhunës.
Mendoj se kjo zhurmë e madhe dhe ky konflikt i katandisur në dhunë krejt të shmangshme krijon edhe për qytetarët një tension të pamerituar. Shumica e tyre kanë votuar këtë qeveri, e vlerësojnë se si po punon dhe pas dy apo tre vjetësh përmes votës ose kanë për ta rrëzuar, po qe se ka punuar keq, ose kanë për ta rizgjedhur, po qe se ka punuar relativisht mirë.
Ndaj dhe çuditem pse ngutet kaq shumë Lulzim Basha. Pse ai madje shkon edhe në Kosovë duke nxitur vëllezërit tanë të kundërshtojnë tarifën për rrugën e kombit të vendosur nga qeveria? Pse ai nuk pret kohën për zgjedhjet e radhës?
Tani kur së afërmi pritet të diskutohet pranimi i Shqipërisë si kandidate për në BE. veprimet dhe thirrjet patetike të Bashës për rrëzimin e qeverisë nuk më tingëllojnë mire. Por nuk mund të them se opozita nuk dëshiron që Shqipëria të pranohet kandidate. Mbase lideri i saj aktual vetëm nuk do që ky sukses i madh të arrihet në kohën e kryeministrit Rama dhe PS-së në pushtet…
Autori është gazetar dhe publicist. Për një përiudhë ka qenë edhe kryeredaktor i gazetës Republika pas vendosjes së sistemit pluralist. Aktualisht jeton në Toronto.











