Aktualitet

Shto ujë e shto miell - Parlamenti shqiptar sot

“Shto ujë e shto miell’ dukej sot salla e Parlamentit të Shqipërisë. Deputeti i PD-së Flamur Noka i ka hedhur miell kryeministrit Edi Rama teksa ky i fundit pinte ujë. Ndërsa Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati lagu me ujë deputetët e opozitës. Pas kësaj u hodhën sende si; shishe uji, letra e vezë në drejtim të Kryeministrit Rama, çka solli edhe ndërprerjen e seancës në disa raste. Opozita duke bllokuar foltoren kërkonte përjashtimin e Kryeministrit Edi Rama, pasi sipas tyre ai ka krahasuar popullin shqiptar me organin gjenital dhe po mban padrejtësisht në burg protestuesit e Kukësit. Në mesin e tensionit të krijuar, Ish-Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje kryeparlamentarit Gramoz Ruçi që të nxirrte jashtë Kryeministrin Edi Rama. “Nxirre jashtë njeriun që shndërroi Shqipërinë në vendin e të burgosurve politikë, nxirre jashtë njeriun që urren Kukësin, nxirre jashtë se Parlamenti do ta nxjerrë atë me lecka. Jashtë Edi Rama! Kjo është fjala ime”, u shpreh Berisha.

Pas përfundimit të seancës së tensionuar të Kuvendit, dhe daljes së Kryeministrit nga dera e pasme e parlamentit, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë mbledhur grupet parlamentare në selinë e PD-së. Ata kanë kërkuar përjashtimin e kryeministrit Rama si dhe të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili hodhi ujë në drejtim të deputetëve, duke provokuar situatën e ndezur. Ditmir Bushati, Ministri i Jashtëm përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka kërkuar ndjesë për situatën e fundit, ku lagu me ujë deputetët e opozitës. Pas mbledhjes së Byrosë është vendosur që të përjashtohen për 10 ditë nga punimet e parlamentit 6 deputetët e opozitës si dhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Deputetët e përjashtuar janë:

Edi Paloka-PD

Flamur Noka-PD

Ervin Salianji-PD

Klevis Balliu-PD

Kejdi Mehmetaj- LSI

Endrit Brahimllari- LSI