Aktualitet

NATO deklarohet për sigurinë në Kosovë

NATO nuk sheh ndonjë kërcënim real për stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës dhe të rajonit, por situata vlerësohet “e brishtë” për shkak të ngecjes në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe për këtë arsye duhet të shmangen mesazhet provokative politike dhe veprimet në të dyja anët.

Kështu i kanë thënë agjencisë “Beta” në Bruksel burimet në selinë e NATO-s, duke theksuar se “presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka të drejtë kur thotë se ndonjë konflikt në rajon, atë zonë do ta kthente mbrapa në mënyrë të konsiderueshme”.

Burimet në Bruksel kanë shtuar se është “plotësisht e natyrshme” që Presidenti Vuçiq dhe liderë të tjerë serbë në kontakt me udhëheqësit e NATO-s kërkojnë të ndikojnë që Prishtina të zbatojë atë për të cilën është rënë dakord dhe nënshkruar në dialogun me Beogradin. Vetëm dialogu çon në një zgjidhje më të qëndrueshme dhe një Kosovë dhe një Serbi më e avancuar dhe demokratike me siguri do të kuptohen dhe do të bashkëpunojnë më mirë’’.

Zyrtarët e NATO-s theksuan që Serbia tani është një kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe për këtë siguria dhe stabiliteti janë vendimtare

Ata pohuan që KFOR-i do të vazhdojë të garantojë sigurinë e të gjithë banorëve dhe që “NATO shpreh keqardhje ndaj pretendimeve që serbët në veri të Kosovës nuk janë të mbrojtur”.

Këtu ka një “retorikë politike” që ka të bëjë edhe me zhvillimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, konsiderojnë ekspertët e NATO-s, të cilët përcjellin zhvillimet në Kosovë dhe në Ballkan dhe thonë se ajo është plotësisht në kundërshtim me mesazhet që NATO-ja merr nga zyrtarët më të lartë serbë, dhe kjo është se KFOR-i është faktor stabilitetit në Kosovë.

Aleanca Veriatlantike mbështet fuqimisht dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, sepse, siç u përmend, ky është një proces afatgjatë që çon në stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe NATO do të bëjë gjithçka për të ruajtur stabilitetin, pikërisht për shkakun se dialogu nuk mund të zhvillohet si duhet në qoftë se situata nuk është e qëndrueshme dhe nuk ka siguri.

Burimet nga Brukseli thanë se “në vend të retorikës nxitëse, Prishtina dhe Beogradi do të duhet t’u kthehen hapave të vegjël për të zbatuar atë që është rënë dakord”.

Burimi: www.fokusi.org