KE rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë
Komisioni Evropian do të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit për dy vende ballkanike, Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Ndërkohë, është vendosur një barrierë e madhe në rrugën e Turqisë drejt bisedimeve për anëtarësim, pasi u deklarua se Ankaraja zyrtare ka ndërmarrë hapa seriozë që e largojnë nga Bashkimi Evropian.
Në raportin e publikuar nga mediat gjermane, theksohet perspektiva për anëtarësim për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Aktualisht negociatat po zhvillohen me Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa Komisioni kërkon të rekomandojë hapjen e tyre edhe me Maqedoninë e Shqipërinë.
Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn dhe Shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini do të vijnë në Tiranë për të dorëzuar Progres Raportin dhe më pas do të udhëtojnë edhe në Shkup.
Autoriteti më i lartë evropian kërkon që qeveritë e këtyre vendeve të mos lënë shkak për dyshime në orientimin dhe angazhimin e tyre strategjik dhe të shfaqin vendosmëri e progres të pakthyeshëm.
Më herët Komisioni kishte përmendur vitin 2025 si datë për anëtarësimin e vendeve ballkanike, ndërsa këtë radhe ne Progres Raport nuk jepen referenca kohore.
Në dokument theksohet që problemet më të mëdha për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, mbeten krimi i organizuar, korrupsioni, trafikimi i drogës, armëve dhe qenieve njerëzore.
Burimi: Gazeta Shqiptare












