Aktualitet

KE rekomandon zyrtarisht hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë

Komisioni Europian rekomandoi zyrtarisht sot hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, ndërsa po vazhdohet puna me Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Përfaqësuesja e lartë e BE, Federica Mogherini u shpreh se partnerët në rajon kanë kryer reforma mjaft të rëndësishme në të gjitha fushat dhe kanë modernizuar ekonomitë e tyre.

Komisioni rekomandon që Këshilli të vendosë hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Po kështu po punohet edhe për një opinion mbi kërkesën e Bosnjë Hercegovinës, ndërsa me Kosovën po synohet të vazhdojë progresi në bazë të Marrëveshjes së stabilizim-asocimit që është nënshkruar.

Në Progres Raport theksohet se ky është një proces, kështu që ruajtja dhe thellimi i reformave aktuale duhet të vijojë në të gjitha vendet partnere dhe në të gjitha fushat. Sidomos në fushën e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut, institucioneve demokratike, reformës në administratën publike, zhvillimit ekonomik dhe rritjes së konkurencës.

“Jam e sigurt që do të bëhet e mundur që reformat të zbatohen në mënyrën e duhur dhe vendet do të dëshmojnë rezultate konkrete jo sepse e kërkon Brukseli, por sepse qytetarët e rajonit e presin këtë nga institucionet e tyre.  Është koha që të investojmë më shumë në rrugën e reformave që i sjellin përfitime qytetarëve të rajonit. Veçanërisht kur flasim për politikën e zgjerimit të Ballkanit, unë mendoj se kthehemi tek kuptimi real i projektit të BE që është ofrimi i instrumenteve për pajtim dhe paqe në kontinentin tone” – ka theksuar Mogherini.

Sipas saj, muajt në vijim do të jenë intensive. Do të ketë sfida si gjithmonë në Europë dhe Ballkan por besohet se vendosmëria e përbashkët dhe mbështetja e qytetarëve do bëjë  të mundur një progres të mëtejshëm. Kësisoj vendimi që u mor sot për t'i rekomanduar Këshillit hapjen e negociatave bazohet në vlerësime mjaft të rrepta rigoroze të progresit që është bërë në raport me rekomandimet e mëparshme.

Ndërkohë eurokomisioneri Hahn e vlerësoi ditën e sotme një ditë e mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Jam i kënaqur” – u shpreh ai – “që Komisioni e vlerësoi rëndësinë dhe fokusin e reformave që janë bërë nga Maqedonia dhe Shqipëria, duke dhënë rekomandimin për hapjen e negociatave të këtyre vendeve. Veçanërisht nga reforma në drejtësi kemi parë rezultate konkrete. Ne e dimë që është fillimi i këtij procesi, por e shohim se është premtuese dhe rekomandimi është i justifikuar”.

Burimi: Shekulli