Aktualitet

Moikom Zeqo: Ja si të shpëtojmë Monumentet e Kulturës në Shqipëri

    Nga Valeria Dedaj

Studiuesi Moikom Zeqo flet në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës në Shqipëri. Sipas tij, njerëzit duhet të ndërgjegjësohen më shumë, sepse trashëgimia është pasaporta e identitetit tonë. Prej 30 vitesh në këtë fushë nuk është bërë asgjë. Për emergjencën e monumenteve të kulturës duhet ngritur një komitet.

Dëshira e tij është që njerëzit në Shqipëri të ndërgjegjësohen për rëndësinë, që kanë Monumentet e Kulturës. Prandaj kësaj here, për të dhënë mesazhin e tij, zgjedh Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve (18 prill). “Trashëgimia përbën pasaportën e identitetit tonë, përbën letrat kredenciale të identitetit të shqiptarëve”, shprehet shkrimtari edhe studiuesi Moikom Zeqo. Kjo gjë,- shprehet profesori, -nuk ka nuk ka të bëjë me emra pushtetarësh apo mandatorësh, që kanë pushtetin aktualisht, por ka të bëjë me vetëdijen edhe me të ardhmen e Shqipërisë.

Në Shqipëri ka vetëm spektatorë, edhe jo njerëz që kujdesen realisht për mosshkatërrimin e monumenteve. Fondet që jepen janë shumë të pakta në krahasim me ato që duhet për zgjidhjen e problematikave, që hasen në këto monumente. Prandaj profesor Zeqo, nuk ndal së propozuari ngritjen e një komiteti emergjence për monumentet e kulturës. Ai mendon, se nuk mundet që për këto monumente të bëhet vetëm një makijazh i lehtë, kur kanë nevojë për më shumë ndërhyrje.

Një tjetër problematik që ngre profesori është edhe angazhimi i njerëzve të shquar të kësaj fushe. Ka një mungesë të madhe specialistësh, që tashmë janë zëvendësuar nga teknicienë. Mungesa e këtyre specialistëve edhe e laboratorëve, që mund të punojnë për përmirësimin e gjendjes së monumente, ka bërë që prej 27 vitesh, të mungojë një projekt modern për monumentet.

      Profesor, në Ditën e Monumenteve të Kulturës, a mundet që të bëni një analizë të gjendjes, së monumenteve në vendin tonë?

Festa e Monumenteve të Kulturës (datë 18 prill), një festë evropiane edhe botërore, në vetvete është diçka pozitive. Është një apel për të medituar edhe për të reflektuar! Përsa i përket Monumenteve të Shqipërisë, kjo festë do të ishte një ndryshim i madh konceptual në raport me kujdesin, që duhet të kemi ne për monumentet. Ky ndryshim i madh konceptual për fat të keq, në Shqipëri ka vetëm karakter spektakolar. Spektakolarisht, në mënyrë sporadike jepen disa fonde. Por, nuk merret me problemet themelore, që ka të bëjë me të ardhmen e monumenteve në Shqipëri.

     Çfarë propozoni ju, si specialist?

Unë kam vite që kam propozuar, që në Shqipëri duhet të ketë një komitet pranë kryeministrit për emergjencën e monumenteve të kulturës. Për shumë monumente, të cilat kanë rrezik shumë të madh shkatërrimi, për të cilat nuk mund të bëhen vetëm një makijazh, një riparim, por diçka thelbësore për to.

Për shembull, po ndalem te Gjirokastra, për të cilën kam shkruar shumë. Gjirokastra kërkon një projekt kombëtar, për ta restauruar, edhe për ta shpëtuar nga një katastrofë. Nuk bëhet me riparime të pjesshme, që reklamohen ose zmadhohen në medie. Ky projekt, për qytetin, që ka një kompleks të tërë monumentesh, duhet të jetë në substancë, si një nga shqetësimet kryesore, për një afat, dhjetë apo njëzetvjeçar. Duhet të jetë i konceptuar nga kryeministria, nga vetë shteti. Për shpëtimin e Gjirokastrës duhet të ketë një program, sepse në këtë qytet shumë monumente të kategorisë së parë, por edhe të dytë, për shkak të shirave dhe mungesës së restaurimit kanë rënë. Unë shkoj shpesh edhe këtë gjë e konstatoj vet në Gjirokastër. Në një kohë, që prej 27 vitesh, ne themi, se do të bëjmë një projekt, që duhet të jetë një projekt modern. Projekte të tilla model, ne nuk kemi, prandaj mjaftohemi me një riparim të pjesshëm, me ndonjë makijazh edhe jo me thelbin e gjërave.

Së dyti, që të bëhet një vlerësim i madh i monumenteve, duhet të ketë disa projekte, të cilat janë shumë të rëndësishme edhe që kanë të bëjnë me qendra, që nesër mund të zhvillonin potencialisht edhe atë që quhet turizmi kulturor. Për shembull, një qendër e tillë, shumë i rëndësishëm është qyteti i Drishtit. Qyteti mesjetar i Drishtit është krejtësisht i harruar, edhe nuk është në asnjë plan, restaurimi, rregullimi dhe mbrojtjeje për të.

    Përse ndodh një gjë e tillë?

Ka shumë arsye! Një pjesë e tyre, kanë të bëjnë edhe me mungesën e specialistëve të fushës. Përgjithësisht me monumentet merren njerëz, që nuk e kanë fare profesion. Nuk di, asnjë emër të shquar tani, dikur kishte emra të shquar, që merreshin me monumentet. Për shembull, Emin Riza është një nga këta emra, që është marrë me monumentet. Tani nuk ka emra të tillë, por ka teknicienë, që kanë mbaruar profesione të ndryshme dhe merren me monumentet. Por, nuk ka asnjë njeri që t’i studiojë monumentet. Si ka mundësi, që nuk ka një projekt kombëtar, për një qytet, siç është qyteti mesjetar Drishti.

Urat gjithashtu vazhdojnë, që të jenë në rrezik për shkak të mosndërhyrjeve…

Urat e Shqipërisë janë akoma në gjendje katastrofike edhe sot. Ne nuk jemi në gjendje që t’i ruajmë, ne nuk ruajmë as urat e periudhës romake, as ato të periudhës mesjetare, apo të periudhës së Ali Pashë Tepelenës. Nuk kemi asnjë projekt, për të ruajtur as monumentet e shekullit XX-të, siç është ura metalike e Matit, që në vetvete përbën një monument.

      Çfarë ju bën kaq skeptik?

Problem tjetër, që më bën që unë të jem skeptik, është ai që i përket arkeologjisë. Arkeologjia është shkencave e zbulimit të monumenteve, e të papriturave të mëdha të trashëgimisë sonë në shekuj. Kemi hyrë në dhjetëvjeçarin e tretë, që nuk bëhet asgjë serioze për arkeologjinë, pra as për monumentet. Nuk ka plane, as për zbulime edhe as për studimin e monumenteve, por as për restaurimin e tyre.

     Përmendët mungesën e emrave të shquar në këtë fushë, por nuk mendoni se ka mungesë të specialistëve, që duhet të merren me monumentet?

Një problem tjetër, që unë ngre me shqetësim, është çështja e specialistëve specifikë, që duhet të merren me monumentet. Po ndalem në një fushë, që ne kemi trashëgimi shumë të rëndësishme, siç është ajo e ikonografisë. Dikur kishim një restaurator, i cili është vënë disa herë në lëvizje, Mustafa Arapin. Është vërtet një restaurator shumë i mirë, i cili pas shumë vitesh ka nisur që të aktivizohet sërish, por në fakt ne duhet që të kemi një institut me restauratorë. Ne nuk kemi një grumbull njerëzisht, që të merren me restaurimin e ikonografisë.

Ku ndihet më tepër kjo mungesë?

Një shembull, që tregon sesa të vonuar dhe ngadaltë jemi, është se për shkak të një tërmeti u prish një nga kishat e pikturuara në fshatin Leshnicë afër Sarandës. Unë në kohën që u prish, rreth një viti më parë, bëra edhe disa shkrime për këtë çështje, por mesa di deri më sot, për kishën që i ka rënë çatia, por edhe afresket, që janë në shi të hapur nuk është bërë asgjë. Përse të mos bëhet? Por, mendoj se duhet, që të lëvizin edhe mekanizmat e rretheve.

Një element tjetër, që sërish ka të bëjë me trashëgiminë, janë elementët e etnografisë. Një pjesë e pasurisë etnografike është vjedhur gjatë këtyre viteve, por edhe ajo pjesë që ka mbetur në fonde, kërkon restaurim. Si ka mundësi që Shqipëria të mos ketë ende një laborator restaurimi, një laborator kimik, por jo vetëm, por edhe me elementë të tjerë. Një ndër figurat e kësaj fushe, është Federik Stamati. Por, sot nuk ekziston një institucion i tillë. Janë shtuar më shumë skupet e ministrive, ndonjë artikull, por të them të drejtën monumentet janë në një gjendje problematike.

Për shembull, qyteti i Durrësit, që do të ishte në nderin e shqiptarëve, në nderin e qeveritarëve dhe të politikës shqiptare, që të ruhej lagjja antike, që u gjet në ish- lulishten “1 Maj”, në Durrës. Askush nuk flet për atë lagje, që është shkatërruar! Kam mësuar gjithashtu, se duan që të bëjnë një ndërtim tjetër në afërsi të Muzeut të Luftës, nga të dy anët, të ngrihen ndërtime të larta. Ndërkohë, që nuk përfundojnë Muzeun Arkeologjik të Durrësit, ku arkeologët dhe ne kemi gjetur artefakte arkeologjike në atë zonë. Është e gjitha zonë arkeologjike. Pavarësisht ndonjë arritje të pjesshme apo ndonjë arritje propaganduese, që bëhet unë do të doja, që monumentet e Shqipërisë të merren seriozisht me ngritjen e një komiteti emergjence, i cili të merrte në konsideratë jo projekte 1-vjeçare, por shumëvjeçare, mbase dhjetë apo njëzetvjeçare për shumë qytete. Për shembull, për qytetin e Gjirokastrës, të Drishtit etj., në drejtim të restaurimit, mund të përfshihen disa nga kështjellat e Gjirokastrës, që janë në rrezik shembjeje. Nga një tërmet i dytë mund të çahen gurët edhe vet kështjella. Kjo mund të bëhet dhe për kështjellat e tjera të Shqipërisë. Nuk shoh shqetësim, por nuk shoh as rritje të fondeve. Pasi për këtë situatë që është krijuar duhet që të ketë një rritje fondesh, pasi kjo gjë nuk arrihet me deklarata apo me aftësi të tjera.

18 prill, Dita Ndërkombëtare e Monumenteve tё Kulturës dhe Siteve Arkeologjike nga organizatat e trashёgimisё botёrore ICOMOS dhe UNESCO, qё prej vitit 1982. Ёshtё dita ku popujt dhe kombet nё tё gjithё botёn e kthejnë vëmendjen nga trashëgimia e tyre kulturore, njihen me vlerat e saj dhe sensibilizohen pёr mbrojtjen dhe promovimin e këtyre vlerave. Sensibilizim, ndërgjegjësim dhe edukim i popullsisë me dashurinë për trashëgiminë kulturore, me kujdesin e përditshëm për monumentin dhe vlerën kulturore! Kjo do të thotë aktivitet dhe punë e përditshme me shkollat, me banorët, me të rinjtë, me autoritetet lokale. Ata duhet të jenë pjesë e aksioneve kulturore, duhet t’i jetojnë monumentet si hapësirë ku jetojnë dhe jo si dekor i pandjeshëm.

         - Specialistët e monumenteve, të mos ndryshohen sa herë ndryshohen partitë politike-

Profesori tregon edhe se cilat janë ato monumente, që duhet të kenë ndërhyrje të herëpashershme. Por, për këtë propozon, që specialistët të mos ndryshohen sa herë ndryshohen partitë politike. Specialistët, duhet që t’i nënshtrohen profesionalizmit, jo zgjedhjeve politike. mandati i tyre duhet që të jetë karriera, që merren me monumentet. Sot mungojnë këta personalitete.

     Cilat janë ato monumente, që duhet të jenë nën kujdes të vazhdueshëm?

Në Shqipëri kërkojnë restaurim të përhershëm edhe qytetet arkeologjike, siç janë për shembull, Apollonia. Durrësi është shkatërruar, përveç amfiteatrit dhe mureve të kështjellës nuk ka mbetur asgjë. Duhet që të ketë një sistem i organizuar shtetëror i atelieve, që të merren me përkujdesjen e monumenteve në të gjitha vendet. Ne nuk e kemi këtë! Kjo është arsyeja, që jemi vonuar! Kanë kaluar 30 vite, pa e vënë ujin fare në zjarr, që të merret kjo masë me karakter organizativ dhe institucional për mbrojtjen e monumenteve. Nuk e kemi këtë! Prandaj nuk kemi, edhe mendimin teorik apo shkencor për monumentet, prandaj nuk kemi botime shkencore për monumentet. E shikoj, si një pjesë shumë të cekët konceptin për monumentet, kur thonë se kanë një fuqi alkimike për turizëm. Nuk është e vërtetë, sepse për monumentet duhet që të investojmë, t’i ruajmë edhe pastaj të bëjmë turizëm me to.

     Dhe së fundmi profesor, duke qenë se drejtuesit e institucioneve ndryshohen çdo katër vite, mendoni se duhet që të ketë një ndërgjegjësim më të madh në rang kombëtar për monumentet dhe kjo gjë mos të ndodhë me specialistët e monumenteve?

Administratorët janë mandatorë për shkak të zgjedhjeve, që bëhen njëherë në katër vite. Por, pjesa tjetër e administratës duhet që të përbëhet nga profesionistë. Ata që kanë të bëjnë me monumentet nuk duhet që t’i nënshtrohen zgjedhjeve politike, por profesionalizmit. Në aspekt politik nuk kanë mandat, por kanë karrierën që merren me monumentet. Fakti është se sot në Shqipëri nuk ka personalitete, që të merren me monumentet. Do të ishte normale, që të kishim një revistë për monumentet. Kjo nuk është ndonjë çudi e madhe, për ky shtet, që harxhon për gjëra kot, mund të japë një fond edhe për monumentet e Shqipërisë.

Për rrezikun, që paraqesin ato nuk shikoj të bëhet asgjë! Pa harruar, që nuk ka kush të shkruajë artikuj apo të bëjë studime. Edhe njerëzit që janë marrë me monumentet, sot nuk janë në marrëdhënie pune, sepse janë ose pensionistë ose kanë vdekur. Duhet një gjeneratë e re studiuesish për monumentet, njerëz kompetentë, që të garantojnë të ardhmen. Të rinj, ne nuk kemi sot. Ky është një problem, shumë edhe më i rëndësishëm, sesa emrat e atyre që qeverisin. Kjo gjë ka të bëjë me kulturën, që është edhe më e rëndësishme sesa qeverisja. Fondi i shtetit, për të shpëtuar monumentet duhet që të jetë i përcaktuar. Kjo nuk është çështje propagande, por është çështje për të shpëtuar monumentet.

Uroj që njerëzit të ndërgjegjësohen, sepse kjo gjë nuk ka të bëjë me emra pushtetarësh apo mandatorësh, që kanë pushtetin aktualisht, por ka të bëjë me vetëdijen dhe me të ardhmen e Shqipërisë. Ka të bëjë me trashëgiminë, që përbën pasaportën e identitetit tonë, ka të bëjë me letra kredenciale të identitetit të shqiptarëve. /Shekulli.com.al