OSBE: Shqipëria nuk ka nevojë për politikanë që japin shfaqje politike shkatërruese
- Nga: Genc Mlloja
INTERVISTË E KRYETARIT TË PREZENCËS SË OSBE, AMBASADORIT BERND BORCHARDT ME “ALBANIAN DAILY NEWS”
“Albanian Daily News”: Ka kaluar mbi një vit, z. Ambasador, që nga intervista juaj e fundit me “Albania Daily News”. A mund të bëni një përmbledhje të punës së zhvilluar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, duke qenë se gama e veprimtarive të saj është e gjerë dhe mbulon thuajse të gjitha sferat e jetës në vend?
Ambasador Borchardt: Ashtu është. Gama e veprimtarive tona është e gjerë, prandaj lejomëni të përqendrohem në dy prej tyre, të cilat janë edhe ndër përparësitë kryesore të institucioneve shqiptare: te reforma në drejtësi dhe te reforma zgjedhore.
Sa i takon reformës në drejtësi, jemi përqendruar te dhënia e asistencës teknike për organet e vettingut, duke monitoruar procesin si dhe duke zhvilluar kapacitetet e komisionerëve të vettingut në zhvillimin e seancave dëgjimore në përputhje me standardet e gjykimit të drejtë. Po ashtu, do të mbështesim ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja vetëqeverisëse të drejtësisë, veçanërisht të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Inspektoratit të Lartë.
Sa i takon reformës zgjedhore, ne po ndihmojmë komisionin e posaçëm të adresojë rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR-i në tri zgjedhjet e fundit, si dhe me çështje të tjera të identifikuara nga aktorët shqiptarë.
Veprimtarit të tjera të rëndësishme të punës sonë gjatë vitit të kaluar kanë qenë ndihma ndaj institucioneve shqiptare për të luftuar kërcënimet transnacionale dhe krimin e organizuar; ndihma ndaj autoriteteve vendore në zbatimin e legjislacionit antikorrupsion; rritja e efikasitetit të institucioneve të të drejtave të njeriut, ku vijuam të promovojmë të drejtat e pakicave dhe kontribuam me komente në ligjin për pakicat kombëtare; përmirësimi i efikasitetit të procedurave gjyqësore, përmes projektit “Drejtësi pa Vonesa”, i cili është përqafuar nga 20 gjykata deri tani; nxitja dhe përkrahja e një dialogu kombëtar për të shkuarën totalitare të Shqipërisë dhe ndihma ndaj Autoritetit të Dosjeve të Sigurimit; përmirësimi i mëtejshëm i vënies në zbatim të mekanizmave për rehabilitimin dhe integrimin e të dënuarve; ndihma ndaj Radio-Televizionit Shqiptar për të filluar shndërrimin në një transmetues publik të njëmendtë, duke ofruar programet e paanshme dhe cilësore që do publiku; çuarja përpara e proceseve demokratizuese dhe modernizuese në parlament, në mënyrë që ai të ketë një rol më të fortë monitorues, në të mirë të qytetarëve; ndihma ndaj institucioneve në luftën kundër trafikimit, veçanërisht të trafikimit të fëmijëve; si dhe mbështetja ndaj Grupit Ndërinstitucional kundër Krimit Mjedisor.
“Albanian Daily News”: Shkëlqesi, lidhur me reformën zgjedhore, si e shihni përparimin e deritanishëm dhe cilat janë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për të rritur legjitimitetin e proceseve zgjedhore në këtë vend ballkanik?
Ambassador Borchardt: Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore është mbledhur disa herë që nga ngritja e tij dhe ka marrë disa vendime substanciale. Së bashku, ata kanë përcaktuar gjashtë objektiva të punës së tyre, ku futen edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si dhe kanë vendosur edhe afate. Ky është një dokument shumë i rëndësishëm, i cili hedh themelet e punës së Komisionit gjatë muajve në vijim. Veç kësaj, fillimi i konsultimeve të Komisionit me organizata të shoqërisë civile aktive në fushën e zgjedhjeve tregon se procesi do të jetë përfshirës. Këto janë sinjale të mira dhe unë e përgëzoj Komisionin për hapat konkretë që ka hedhur deri tani. Shqipëria ka nevojë për politikanë që janë vërtet të përkushtuar ndaj punës esenciale të parlamentit dhe që respektojnë rolin e parlamentit modern, në vend që të japin shfaqje politike shkatërruese.
Sikurse e kam thënë në disa raste, është e qartë nevoja për një reformë të plotë dhe në kohën e duhur, e cila do të adresojë rekomandimet e ODIHR-it të vitit 2017 dhe të zgjedhjeve të mëparshme, si dhe do të trajtojë çështje të tjera kyçe që ndikojnë në zgjedhjet demokratike. Mandati i komisionit të përkohshëm u zgjat së fundmi dhe ne e nxisim komisionin ta përfundojë reformën zgjedhore brenda mandatit aktual. Së bashku me OSBE/ODIHR-in, ne po i ofrojmë parlamentit shqiptar mbështetjen tonë të plotë në realizimin e reformës.
Ashtu siç thotë ODIHR-i në raportet e tij, Komisioni duhet të trajtojë çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës. Akuzat e shumta për blerje vote kanë ulur besimin e publikut dhe nevojiten përpjekje serioze të partive politike në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ne po ndjekim me shumë vëmendje çështjet e shkeljeve zgjedhore të raportuara në prokurori dhe presim me padurim të shohim më shumë padi dhe dënime. Po ashtu, autoritetet shqiptare duhet të luftojnë abuzimet me burimet shtetërore dhe presionet e lidhura me vendin e punës ndaj zgjedhësve. Më tej, një nga përparësitë e tjera të identifikuara nga ODIHR-i është ndryshimi i ligjit, në mënyrë që komisionerët e zgjedhjeve dhe anëtarët e grupeve të numërimit të jenë jopartiakë. Organet e administrimit të zgjedhjeve duhet të jenë të pavarura dhe profesionale. Prezenca e OSBE-së dhe Këshilli i Evropës kanë marrë një hap konkret drejt profesionalizimit të administratës zgjedhore, duke e ndihmuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë viteve të fundit në përpjekjet e tij për të ngritur një platformë të përhershme trajnimi, e cila do të japë trajnime të specializuara për komisionerët e zgjedhjeve dhe për aktorë të tjerë që merren me zgjedhjet, gjatë gjithë ciklit zgjedhor. Futja e votimit elektronik mund të ndihmonte më tej në depolitizimin e administratës zgjedhore.
“Albanian Daily News”: Zyra juaj përshëndeti futjen e Kodit të Sjelljes së Deputetëve në axhendën e Kuvendit dhe, më pas, miratimin e tij. Sa ka ndihmuar Prezenca e OSBE-së në këtë përpjekje dhe a shpresoni që shqiptarët do të kenë një parlament që respekton standardet ndërkombëtare, larg asaj që shohim të ndodhë atje?
Ambassador Borchardt: Prezenca e përgëzoi publikisht Kuvendin për miratimin e Kodit të Sjelljes, më 5 prill. Kodi reflekton kontributet e OSBE-së, të Këshillit të Evropës dhe përmbush standardet më të larta ndërkombëtare. Tani që Kodi është miratuar, ne u bëjmë thirrje deputetëve ta respektojnë dhe i sigurojmë ata për mbështetjen tonë të vijueshme. Ngjarjet e 12 prillit në Kuvendit treguan se jo të gjithë deputetët u përmbahen këtyre standardeve.
Një “parlament që respekton standardet ndërkombëtare” është qëllimi final që ne synojmë që të arrijë Shqipëria me ndihmën tonë. Kohët e fundit kemi vënë re një përmirësim të ngadaltë të rolit monitorues të parlamentit. Mbështetja jonë për një parlament funksional dhe efikas do të intensifikohet më tej, pasi po ndërmarrim një asistencë afatgjatë për funksionet themelore të Kuvendit, përfshirë modernizimin e administratës zgjedhore, forcimin e funksioneve ligjvënëse dhe monitoruese, si dhe marrëdhënien e parlamentit me qytetarët.
“Albanian Daily News”: Z. Ambasador, korrupsioni vijon të mbetet shqetësim i rëndë dhe Transparency International e radhiti së fundmi Shqipërinë në vendin e 91-të nga 180 shtetet dhe territoret që përfshihen në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të vitit 2017, çka shënon një rënie prej tetë vendesh që nga viti 2016. Cilat janë arsyet dhe si mundet të ndihmojë OSBE-ja tejkalimin e kësaj situate?
Ambasadori Borchardt: Rezultatet e Indeksit të vitit 2017 të Transparency International përbëjnë shqetësim të vërtetë për ritmin e reformave të Shqipërisë kundër korrupsionit. Rënia e përmendur është pohuar edhe nga anketa e financuar nga PNUD-i “Besimi në qeverisje”, e cila tregoi se, në krahasim me vitin 2016, numri i qytetarëve të ekspozuar ndaj korrupsionit është rritur në mënyrë të ndjeshme. Edhe pse vitet 2013-2017 u shoqëruan me përparim në kuadër të luftës kundër korrupsionit në nivele të ulëta në sektorin publik dhe me çuarjen përpara të qeverisjes elektronike, jemi të zhgënjyer me tendencën e rënies që kemi parë në klasifikim. Duhet bërë më shumë për hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të ndjeshme të korrupsionit dhe për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi. Pikat e forta dhe ato të dobëta të sistemit të prokurimit publik janë analizuar plotësisht: tashmë nevojiten hapa konkretë. Pasja e një autoriteti të pavarur kundër korrupsionit ka treguar në shumë shtete se është mjet i vlefshëm për luftën kundër korrupsionit. Besimi i qytetarëve te këto institucione të pavarura është më i lartë se besimi që ata kanë te strukturat qeveritare. Shqipëria duhet t’i shohë me shumë kujdes shembujt në fjalë. Për të ushqyer besimin e publikut tek institucionet publike, është e domosdoshme që institucionet publike të japin më shumë llogari për punën e tyre dhe që zyrtarët të jenë më transparentë rreth vendimmarrjes së tyre. Prezenca do të vazhdojë t’i ofrojë mbështetje qeverisë dhe të gjithë aktorëve përkatës për rritjen e llogaridhënies së administratës publike, për të ofruar mjetet për parandalimin dhe monitorimin e reformave kundër korrupsionit në vend, si dhe të ofrojë mbështetje për trajtimin e nevojave urgjente, sfidave dhe përparësive në fushën e luftës ndaj korrupsionit dhe qeverisjes së mirë. Sidoqoftë, ne vetëm mund të ndihmojmë me ofrimin dhe përmirësimin e mjeteve që luftojnë korrupsionin, por vendimmarrja dhe zbatimi i tyre i takon shtetit. Më lejoni të theksoj që edhe qytetarët luajnë rol të rëndësishëm kur nuk e tolerojnë ose nuk e nxisin këtë fenomen.
“Albanian Daily News”: Zhvillimi dhe reformimi i policisë brenda kornizës së policimit demokratik vijojnë të jenë detyra thelbësore për policinë e shtetit dhe për agjencitë e specializuara të saj, pasi janë shfaqur sfida të reja në lidhje me luftën e rrjeteve kriminale vendase, veprimtaria e të cilëve është e lidhur gjithnjë e më shumë me rrjetet ndërkombëtare. Në çfarë fushash është përqendruar puna e OSBE-së për të ndihmuar Policinë e Shtetit për përmirësimin e punës së saj?
Ambasadori Borchardt: Krimi i organizuar tejkombëtar në Shqipëri vazhdon të jetë problem për Policinë e Shtetit. Ndihemi të inkurajuar nga përpjekjet e Policisë së Shtetit në kuadër të Task Forcës së saj “Forca e Ligjit”. Në këtë kontekst, Prezenca e OSBE-së po e mbështet policinë në tri mënyra. Së pari, në bashkëpunim me Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë, ne po mundësojmë trajnimin e trajnuesve të Policisë së Shtetit për hetimin e krimit kompjuterik në Akademinë e Sigurisë. Ky trajnim do t’u ofrohet hetuesve të tjerë vitin tjetër nga vetë pjesëmarrësit e trajnimit të këtij viti. Së dyti, po e mbështesim Policinë e Shtetit me përdorimin e Skuadrave Hetuese të Përbashkëta me shtete të tjera ku veprojnë rrjete kriminale shqiptare. Përmirësimi i bashkërendimit me Evropën do e bëjë më të vështirë për rrjetet kriminale të veprojnë tejkombëtarisht. Së treti, siguria e kufijve mbetet prioritet kyç dhe Prezenca e OSBE-së po punon me Policinë Kufitare dhe me shtetet fqinje për të krijuar protokolle të përbashkëta, qendra për bashkëpunimin policor dhe trajnime në pikat e kalimit kufitar. Një gjë e tillë do të ndihmojë përmirësimin e kontrollit kufitar kundër veprimtarive kriminale, si trafiku i drogës, trafikimi i qenieve njerëzore, migrimi i parregullt dhe luftëtarët e huaj terroristë. Gjithashtu, Prezenca do të bashkëpunojë me Ministrinë e Brendshme për të mbështetur dy task forcat vendore, në qarqet Shkodër dhe Vlorë, të zhvillojnë një fushatë ndërgjegjësimi për komunitetin vendor rreth ndikimeve që ka kultivimi i kanabisit. Kjo përpjekje lidhet me përforcimin e arritjeve të qeverisë në vitin 2017, për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e kultivimit të kanabisit.
“Albanian Daily News”: Si i mbështet OSBE-ja institucionet shqiptare për tejkalimin e problemit të trafikimit të qenieve njerëzore dhe cilat janë prioritetet sipas OSBE-së?
Ambasadori Borchardt: Prezenca e OSBE-së është mbështetëse e fuqishme e trajtimit të trafikimit të qenieve njerëzore me anë të një qasjeje shumëdisiplinore. Shqipëria ka ende vështirësi në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore për të parandaluar këtë shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, duke ofruar ndërkohë mbrojtje të qëndrueshme për të dëmtuarit dhe duke dënuar autorët e kësaj vepre. Një nga çështjet më të ngutshme aktualisht është që të rritet numri i dënimeve për trafikantët. Prezenca ka mbështetur përmirësimin e legjislacionit në këtë kuadër dhe këtë vit do të përqendrohet te trajnimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në lidhje me legjislacionin e ri. Aktualisht, trafikimi i qenieve njerëzore po shfaqet në forma të reja të rekrutimit dhe shfrytëzimit të të dëmtuarve, përfshirë formën me anë të internetit. Kjo është arsyeja pse ne do të trajnojmë Policinë e Shtetit për përdorimin e teknologjisë në luftën ndaj trafikimit.
Një nga format më të shëmtuara të trafikimit është trafikimi i fëmijëve. Prezenca e ka trajtuar parandalimin e trafikimit të fëmijëve me anë të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, që nga viti 2014, kur u botua studimi i parë kombëtar për fëmijët në situatë rruge. Ne kemi mbështetur zhvillimin e udhëzimeve dhe planeve të veprimit, ndërkohë që kemi lehtësuar edhe bashkërendimin dhe kapacitetin e aktorëve vendas. Sidoqoftë, fenomeni nuk ka ndalur dhe nevojiten strategji afatgjata dhe fonde buxhetore për t’i dhënë zgjidhje të plotë këtij problemi. Ekziston gjithashtu nevoja urgjente për të trajtuar mungesën e personelit dhe udhëheqjes në strukturat kompetente kundër trafikimit.
“Albanian Daily News”: Pjesë e tranzicionit të gjatë të Shqipërisë është edhe çështja delikate e hapjes së dosjeve të Sigurimit. Cili është mendimi i juaj për këtë zvarritje të gjatë dhe çfarë rëndësie ka hapja e dosjeve për shoqërinë shqiptare?
Ambasadori Borchardt: Prezenca e OSBE-së ka pothuajse tre vjet që është angazhuar në mbështetjen e një diskutimi të gjerë të shoqërisë rreth trajtimit të së shkuarës totalitare. Kjo përfshin edhe mbështetjen për punën e Autoritetit të Dosjeve. Prezenca e mbështeti fuqimisht krijimin e këtij institucioni dhe është e angazhuar në vazhdimësi për rritjen e kapaciteteve të tij, si për shembull me pajisje për arkivin dhe me ekspertizë. Ne nxisim institucionet shtetërore dhe qytetarët të ndërmarrin një rol aktiv në procesin e vështirë të bërjes paqe me të shkuarën shpeshherë të dhimbshme.
Rëndësia e hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit përfshin të drejtën e të gjitha viktimave të regjimit komunist në Shqipëri për të ditur të vërtetën rreth asaj çka u ndodhi atyre vetë apo familjarëve të tyre. Kjo do ta ndihmojë shoqërinë shqiptare të nxjerrë mësime nga historia e saj jo shumë e largët me qëllim parandalimin e abuzimit me të drejtat e njeriut në të ardhmen. Përveç kësaj, viktimave u duhet dokumentacioni që të mund të kërkojnë zhdëmtim, dëmshpërblim apo kthimin e asaj që u takon. Kjo është e rëndësishme në proceset gjyqësore të ngritura për përmbushjen e të drejtës për drejtësi. Njohja e së shkuarës dhe dialogu rreth saj luajnë rol vendimtar për një tranzicion çlirues, dhe ndihmojnë për ripërcaktimin e identitetit të një vendi. Ky proces ka qenë më intensiv kohët e fundit me zhvillimin e debateve publike në vend, ndërtimin e muzeve në lidhje me këtë temë, ndërtimin e memorialeve dhe, sigurisht, edhe me organizimin dhe funksionimin e Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Ka pasur shumë orvatje jo të suksesshme dekadat e mëparshme për të hapur dosjet e ish-Sigurimit dhe për të zhvilluar një proces lustracioni në Shqipëri. Megjithatë, ndonëse është dashur ca kohë, pjesa më e rëndësishme është që Autoriteti i Dosjeve është një instrument konkret që i shërben ripërcaktimit të identitetit të Shqipërisë. Kjo tregon se procesi ka filluar dhe po vazhdon.
“Albanian Daily News”: Sa e ka ndihmuar OSBE-ja median shqiptare për ta luajtur si duhet rolin e saj si “pushteti i katërt” i një shoqërie, pasi ka shenja që pavarësia e saj është prekur nga forcat politike dhe nga biznesi?
Ambasadori Borchardt: Media luan vërtet një rol shumë të rëndësishëm në çdo vend dhe, në kushte ideale, ajo luan rolin e një tjetër forme monitorimi të punës së qeverisë, duke u etiketuar kështu ndonjëherë si “pushteti i katërt”. Që ky funksion kontrolli të ushtrohet mirë, duhet të ekzistojnë disa elementë: një mjedis mediatik i larmishëm, i pavarur nga biznesi dhe ndikimi politik; një sistem i mirë arsimi dhe siguri pune për gazetarët, si dhe një transmetues publik që ofron informacion të pavarur dhe program tërheqës. Kemi parë disa raste ku përdorimi i papërshtatshëm i burimeve shtetërore, trajtimi i pabarabartë i qytetarëve apo cilësia jo e duhur e ushqimit janë trajtuar nga autoritetet shqiptare për shkak se janë bërë publike nga media. Pavarësisht kësaj, e rëndësishme është të vazhdohet më tej me forcimin e profesionalizmit dhe pavarësisë së medias dhe Prezenca e OSBE-së, së bashku me Përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, po e ndjekin nga afër situatën e medias në Shqipëri. Vitet e fundit, Prezenca e OSBE-së është fokusuar veçanërisht në mbështetjen e transmetuesit publik për ta ndihmuar që të përmbushë më mirë rolin e tij në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtje të interesave të tyre, me informacione të pavarura dhe programe interesante. Shumë është arritur dhe RTSH-ja është sot më tërheqëse se sa tre vjet më parë. Përqendrimi i pushtetit mediatik në disa duar – siç dokumentohet së fundmi nga BIRN-i – duhet të përbëjë një çështje shqetësuese për parlamentin. Lënia e medias plotësisht në dorë të tregut të lirë mund të rrezikojë rëndësinë e një shtylle qendrore të demokracisë.
“Albanian Daily News”: Zyrtarët e lartë të OSBE-së kanë theksuar nevojën për krijimin e një terreni të barabartë për gratë, në mënyrë që ato të kenë të njëjtat mundësi për sukses. Si i ka ndihmuar Prezenca e OSBE-së gratë për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të marrë vendin që u takon në shoqëri?
Ambasadori Borchardt: Prezenca e OSBE-së e ka trajtuar këtë çështje nga dy këndvështrime. Së pari, përmes rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë duke fuqizuar dhe duke mbështetur programe për gratë në nivel kombëtar dhe vendor, gratë kanë arritur një shkallë të rëndësishme pjesëmarrjeje pas zgjedhjeve më të fundit parlamentare dhe vendore – rreth 30% gra në parlament dhe rreth 35% në këshillat bashkiakë. Së dyti, Prezenca po kontribuon gjithmonë e më shumë në zhvillimin e një diskutimi gjinor në Shqipëri. Dhuna dhe pabarazia që gratë vazhdojnë të vuajnë në këtë vend e bën të domosdoshëm trajtimin e kësaj çështjeje në një formë të re dhe më serioze. Për të bërë ndryshime në shoqëri, duhet që, pikësëpari, të fillohet të flitet për të dhe të bëhen publike sa më shumë informacione dhe shembuj pozitivë. Vitin e shkuar, Prezenca organizoi një sërë bisedash publike të quajtura “FemSaloons”. Ato trajtojnë tema të ndryshme që nga rolet gjinore, transformimi i maskilitetit e deri te roli i grave në botën e teknologjisë. Këto biseda po bëhen gjithmonë e më popullore dhe po tërheqin vëmendjen e të rinjve dhe të publikut në tërësi. Qasja shumëdimensionale ndaj pozicionit të grave ofron mundësi për të folur, për të vlerësuar dhe për të vepruar e përmirësuar pozicionin e grave në shoqërinë shqiptare. Ndonëse hapat pozitivë janë të dukshëm sa i përket pjesëmarrjes politike të grave, e rëndësishme është të vazhdojë puna për pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të grave në shoqëri. Prezenca e OSBE-së i mbështet fuqimisht këto procese.
“Albanian Daily News”: Dhe në fund, Shkëlqesi, si kontribuon Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në bashkëpunimin rajonal të Shqipërisë në fushat që ju mbuloni dhe a bashkëpunon zyra juaj me ndonjë përfaqësi në rajon?
Ambasadori Borchardt: Bashkëpunimi rajonal është në ADN-në e organizatës sonë. Ne e mbështesim bashkëpunimin rajonal dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në të gjitha veprimtaritë tona dhe e bëjmë këtë së bashku me misionet e tjera të OSBE-së në rajon. Për shembull, këtë vit Prezenca do të mbështesë gjashtë bashki nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë për të shkëmbyer praktikat më të mira në fuqizimin e të rinjve dhe grave. Një tjetër veprimtari, të cilën e kemi shumë për zemër, është rritja e ndërveprimit të të rinjve në rajon. Në prag të hapjes së Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin e të Rinjve, së bashku me RYCO-n dhe me Bashkinë e Tiranës, sollëm këtu studentë nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim promovimin e vlerave të OSBE-së të demokracisë dhe bashkëpunimit, si dhe të rolit të rëndësishëm që luajnë të rinjtë me kontributin që japin për paqen dhe sigurinë. Rezultoi kaq e suksesshme si nismë, saqë do ta përsërisim edhe këtë vit. Më lejoni të shtoj se bashkëpunimi nuk kufizohet brendapërbrenda rajonit. Vetëm disa javë më parë, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Zyrës së OSBE-së në Taxhikistan, një delegacion i nivelit të lartë të një vendi të largët si Taxhikistani vizitoi Shqipërinë për të mësuar rreth sistemit të menaxhimit të integruar të kufirit dhe për bashkëpunimin me policinë e vendeve fqinje. Shqipëria është anëtare me të drejta të plota e një komuniteti të madh ndërkombëtar për sigurinë dhe Prezenca e OSBE-së do të vazhdojë ta mbështesë vendin në përmbushjen e plotë të detyrave të tij në këtë kontekst.











