Aktualitet

Jusuf Buxhovi: Përkatësia kombëtare mbi atë fetare!

Historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi mendon që Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka patur të drejtë kur deklaroi se shqiptarët janë shqiptarë, pavarësisht përkatësisë fetare. Sipas shkrimtarit të njohur, zanafilla e këtij fakti gjendet tek Rilindasit. “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, - pat thënë dikur patrioti dhe intelektuali Pashko Vasa.

Shkrimtari Jusuf Buxhovi, i cili dje promovoi librin e tij të radhës me titull “Dushkaja” në emisionin “Dosieri i Ditës”, duke evokuar mendimin e Rilindasve tha se duhet dalluar identiteti kombëtar nga ai fetar.

“Ka të drejtë apo nuk ka të drejtë Haradinaj, gjërat duhet të shikohen pak me thellë. Po ngatërrohet identiteti nacional me atë fetar. Këtu ka dallim të madh, shqiptarët janë me identitet kombëtar si shqiptarë, ndërsa identitetet fetare tek shqiptarët kanë qenë bukur fluide. I kemi tre identitete … Myslimanizmi që përmendet këtu më shumë në konotacione politike nuk është i tillë çfarë tani e predikojnë hoxhallarët. Rilindja Kombëtare dhe shqiptarizmi kanë lindur në rrethana perandorake”, ka theksuar Buxhovi.

Ai është shprehur se shqiptarët janë vetëm shqiptarë, ndërkaq, identitetet fetare ndryshojnë. Sipas tij, është e padrejtë të thuhet se 90 përqind e shqiptarëve janë myslimanë, sepse identiteti kombëtar është bazik, ndërsa identiteti fetar mund të ndryshojë. Për më tepër që një pjesë e shqiptarëve kanë jetuar në rrethana ideologjikë të nje sistemi komunist apo laik më parë.

Për Buxhovin, shqiptarët e kanë identitetin shqiptar dhe është shumë gabim të përdoret shprehja myslimanë shqiptarë apo katolikë shqiptarë. Jo! E drejtë është të thuhet shqiptarët janë të religjionit mysliman, katolik etj. Dhe gabimi më i madh ndodh kur dikush mendon se identiteti fetar duhet të bëhet paresor.

Burimi: revistadrini.info