Aktualitet

Zef Preçi: Tërheqja e fondeve nga BE varet nga mënyra qeverisëse në Shqipëri

Nga: Sebi Alla

Intervistë dhënë Gazetës MAPO

 Zef Preçi

MAPO: Komisioni Europian zyrtarisht rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë për në Bashkimin Europian. Në rast se edhe vendet anëtare të BE-së miratojnë raportin pozitiv, çfarë ndryshon për Shqipërinë?

Duke uruar që kjo të ndodhë, d.m.th. që rekomandimi i Komisionit Europian të merret parasysh nga Këshilli Europian, mendoj se është me arsyeshme të flitet për kostot dhe për përfitimet potenciale të rastit. Siç tregon përvoja e vendeve ish-komuniste që tashmë janë “de jure” dhe “de facto” anëtare të BE-së, në momentet e qenies vend kandidat për anëtarësim në BE, vështrimi hidhet mbi aspekte të tilla, si: tregtia e lirë, konkurrenca, rritja ekonomike, bujqësia dhe siguria ushqimore, por dhe në këndvështrimin politik dhe institucional. D.m.th. pritshmëria e parë mendoj se lidhet me rritjen e mundshme të volumeve tregtare me vendet e BE-së, si dhe uljen relative të çmimeve, rritjen e pranisë së investimeve të huaja dhe të vendit, rritjen e eficiencës së fondeve publike dhe në përgjithësi konkurrueshmërinë në ekonominë shqiptare, në përshpejtim të rritjes ekonomike në periudhën afatmesme, kuptohet të gjitha këto të trajtuara si një proces që përfshin disa vite dhe dekada dhe jo si një moment, apo më keq akoma, sikur do të ndodhë nesër….

Por ndoshta të një rëndësie më të madhe do të jenë zhvillimet e pritshme sa u takon burimeve njerëzore, d.m.th. hapja e tregut të punës së të huajve në vendin tonë e mbi të gjitha lejimi i punësimit të lirë të qytetarëve shqiptarë në vendet e BE-së, e konceptuar kjo si një lëvizje brenda shtetit (federatës) në të cilën Shqipëria do të jetë vend anëtar. Natyrisht që siç ka ndodhur edhe në vendet e reja anëtare të BE-së, ardhja e europianëve në vendet anëtare stimulon rritje të çmimeve të pasurive të patundshme, pasurive në bregdet etj. Ndërsa punësimi i qytetarëve shqiptarë në vendet e BE-së krijon terren që ata të kontribuojnë në ekonominë tonë kombëtare, në një formë më formale dhe të zbutur, në krahasim me remitancat kryesisht informale dhe vlerat monetare nga veprimtaritë kriminale që kjo ekonomi përfiton aktualisht.

E nëse flasim për kostot, kuptohet se kryerja me sukses e reformave të identifikuara, të shprehura në formën e prioriteteve apo sfidave që duhen adresuar, kërkon vullnet politik të shprehur qartë të qeverisë dhe jo vetëm retorikë pa përmbajtje si ajo që rëndom ofron elita politike e vendit, kërkon fonde të konsiderueshme sidomos për të plotësuar kuadrin ligjor dhe institucional si dhe për të siguruar funksionalitetin e shtetit. Gjithsesi ato janë të justifikueshme duke menduar ndikimin pozitiv afatgjatë në dobi të qytetarëve të vendit. Për momentin përftimet e para lidhen në dekurajimin e braktisjes së vendit dhe rritjen e kontrollit qytetar dhe të llogaridhënies së institucioneve politike që menaxhojnë taksat e qytetarëve shqiptarë.

Është e dëshirueshme që qeveria të rishikojë programin e vet politiko-qeverisës për t’u shkëputur nga ndikimet oligarkike në shpërndarjen e fondeve publike, në përmirësimin e klimës së investimeve që mundësojnë kthimin në Shqipëri të investitorëve seriozë dhe zvogëlimin sa më shpejt që të jetë e mundur të zotërimit të tregjeve të rëndësishme nga kompani “offshore” etj. Po kaq të rëndësishme janë edhe reforma dhe sfida të tjera të kushtueshme në procesin e harmonizimit me standardet europiane siç mund të jetë ajo në fushën e mjedisit dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.

MAPO: Një nga pikat kryesore është aspekti ekonomik, çfarë përfiton vendi ynë pas hapjes së negociatave si vend kandidat për në BE? Cilat do jenë projektet kryesore që BE mund të financojë?

Për sa kohë nuk ka një program të qartë të zgjerimit, por është më shumë një angazhim institucional e politik për periudhat e ardhshme (mbas vitit 2020) është vështirë të imagjinosh se cilat mund të jenë projektet prioritare që do të financojë BE në periudhën e negocimit për anëtarësim dhe më vonë. Ajo që mund të thuhet nisur nga përvoja e vendeve të tjera më të avancuara në këtë proces apo që e kanë kaluar këtë faze është se projektet e rëndësishme infrastrukturore, sidomos ato ndërshtetërore, kanë përparësi. Kjo do të thotë se është kundërproduktive që qeveria, nën ndikimin e interesave të oligarkëve të lërë peng taksat që do të mblidhen gjatë 10 apo 20 viteve të ardhshme (PPP famëkeqja) apo të marrë borxhe të reja, p.sh. për të ndërtuar rrugë automobilistike (edhe pse ato janë të nevojshme), sepse kjo do të mund të mbështetet financiarisht nga BE në periudhat që vijnë. Është e dëshirueshme të hiqet dorë nga gjigantomania apo investimet publike thjesht për disa vota më shumë në zgjedhjet e radhës. Duhet që fondet në dispozicion të përqendrohen në vepra publike që hapin vende të reja pune e jo zyra pune, në vepra që rritin prodhimin vendas, që zgjerojnë aftësitë konkurruese të ekonomisë sonë kombëtare.

MAPO: Cilat janë fushat kryesore ku pritet që BE të lëvrojë fonde? Sa parashikohet të jetë vlera monetare që përfitojmë dhe si do të menaxhohen këto fonde?A do ketë mbikqyrje nga BE?

Është shumë shpejt për të folur rreth kësaj teme. Viti 2020 për fondet e BE-së nuk është larg dhe deri atëherë do të kemi mundësi të shohim jo vetëm qëndrimet e vendeve të veçantë të BE-së kundrejt vendit tonë, por edhe zhvillimet në vete BE-në në “macro-scale” d.m.th. në konsolidimin e institucioneve të unionit. Por mbi të gjitha deri atëherë do të mund të shohim e vlerësojmë nëse elita politike drejtuese e vendit, në pushtet dhe në opozitë, do të shkëputet nga ndikimet e krimit te organizuar, nëse do të zvogëlohet korrupsioni në menaxhimin e burimeve  natyrore, financiare e njerëzore në dispozicion të qeverisë, nëse do të marrë fund kultura e pandëshkueshmërisë dhe kaosi me pronat, nëse vetë procesi i integrimit Europian do të shihet si një përgjegjësi publike, politike dhe qytetare apo si një trofe i luftës se paprinciptë për pushtet. Pra, zhvillimet e brendshme, posaçërisht reformat e identifikuara pritet të jenë përcaktuese në ritmet dhe dimensionet e vetë procesit të integrimit Europian të Shqipërisë. E në këtë proces, padyshim mbikqyrja nga afër e BE-së do të marrë një rëndësi të madhe për të garantuar njëkohësisht si krijimin e atij sistemi vlerash të promovuar nga etërit themelues të BE-së, ashtu dhe standardet tashmë të njohura në ditët e sotme për vendet si yni, që duan të bëhen pjesë e këtij bashkimi.

www.mapo.al