Alarm mjedisor-Digjet fabrika e riciklimit të mbetjeve
Tiranë: Banorët e Kasharit në Tiranë ishin ankuar vazhdimisht me zë dhe nën zë për erën e keqe që përhapej në zonën e banimit por edhe për shkaqet e pasojat e erës që ishte vetëm ajsbergu i problemit. Por, pavarësisht ankesave ata kanë deklaruar nëpër mediet shqiptare se nuk është marrë asnjë masë. Aty, në lagjen e tyre, ku kishin blerë apartamentet që do duhej të plotësonin çdo standard, edhe mjedisor, ndodhej kompania “Everest” e riciklimit të mbetjeve, e cila të dielën e 22 prillit u përfshi nga flakët. Reja toksike që u prodhua nga djegia e plastikës, u përhap në gjithë Tiranën, dhe do vazhdojë ti prodhojë efektet në ditët në vijim. Kjo ngjarje nuk ishte premierë. Para një viti kompania e tij ‘Everest’ u përfshi nga flakët, ndërsa u gjobit për mos respektim të kushteve të sigurisë. Edhe sot, drejtori i zjarrfikëses së Tiranës deklaroi se nuk funksionoi sistemi i alarmit të zjarrit dhe se nuk u lajmëruan nga biznesi, por nga banorët për zjarrin.
Pronari i kësaj kompanie, Vullnet Haka qëlloi të jetë edhe kryetar i Shoqatës së Ricikluesve në Shqipëri, i cili rreth dy vite më parë ka lobuar fuqishëm që të miratohej ligji për importin e mbetjeve në Shqipëri për t’u ricikluar. E ndërsa lobonte për importin e mbetjeve, nga ana tjetër fabrika e tij nuk respektonte kushtet e sigurisë dhe kriteret e vendosura për riciklim. Në kulmin e debatit për importin e mbetjeve, në shtator të vitit 2016 në fabrikën “Everest” ka qenë edhe kryeministri Rama. Gjatë kësaj vizite kujdesi ishte që çdo gjë të dukej perfekte. Por siç ndodh rëndom fasada nuk është tregues i realitetit. Shpesh herë u bëhet publicitet pikërisht atyre që kanë më tepër probleme me parametrat. Dhe në fund ata që e pësojnë janë qytetarët.











