Aktualitet

Dimri kaloi, por banorët e Thethit ende të izoluar nga bora

Sa herë u jemi mburrur apo krenuar turistëve me alpet shqiptare, u kemi rekomanduar Thethin. Nga dëshira e madhe për të folur mirë për vendin tonë, harrojmë se rrugët për në Theth ende janë të pashtruara. Duhet fuoristradë të shkosh deri në destinacion dhe sigurisht një shofer më përvojë në këto rrugë. Çiklistët edhe pse e pëlqejnë si terren pasi është sfidues, jo rrallëherë kanë rrezikuar. Bizneset në Theth, disa Hane të këndshëm e tradicionalë mbijetojnë me bukuritë e natyrës, pasi përtej dëshirës së mirë të tyre, nuk përballojnë dot shtrimin e mirëmbajtjen e rrugëve në cdo stinë të vitit. Asnjë qeverie nuk u ka interesuar të investojnë në një zonë ku llogariten vetëm 70 vota. Sepse ATA gjithçka e masim me votë. Nëse mbledhin zgjedhës, atëherë përpiqen ndonjëherë për ndonjë copë rrugë, nëse jo, ta harrojnë banorët.

Një banor i Thethit, Ndoc Gjeçaj, që jeton e banon në Theth, dhe e nxjerr jetesën përmes bujtinës së tij malore, shkruan në Facebook i pikëlluar:

 Ndoc Gjeçaj

“Të nderuar gazetarë të medias shqiptare. Thethi i vlerësuar si zemra e Alpeve dhe parajsa e vizitorëve të huaj dhe shqiptarë, sot më dt 25.04.2018 është totalisht i izoluar nga bora e dimrit që kaloi.  Për më qartë shikoni fotot që po postojmë të bëra sot. Ne kërkojmë integrim në Bashkimin Europian kur nuk e meritojmë, sepse nuk kemi bërë asgjë për të qenë as në Afrikë e jo më Europë”

 

 

 

E të mendosh që Parku i Thethit bën pjesë në projektin e “Parkut të Paqes” që përfshin një territor midis Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Ne urojmë që shqetësimi i banorit të marrë zgjidhje të shpejtë por jo afatshkurtër. Thethi i bukur, e meriton investimin dhe vëmendjen e Ministrisë së Turizmit, pavarësisht preferencave personale apo elektorale të ministrave që ndërrohen.

©Flasshqip.ca