Imzot George Frendo merr shtetësinë shqiptare
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka zgjedhur një ditë të veçantë, pikërisht 25 vjetorin e vizitës së Papa Gjon Pali II në Shqipëri, për t’i dorëzuar shtetësinë shqiptare Imzot George Frendo, Arqipeshkvit të Dioqezës së Tiranës dhe Durrësit.
Fjala e Presidentit Meta: “Të dashur miq, sot në 25-vjetorin e vizitës së paharruar dhe historike të Papa Gjon Palit II në Shqipëri, pata nderin dhe privilegjin t’i akordoj Arqipeshkëvit Metropolit të Tiranë–Durrësit, Imzot George Anthony Frendo, dhënien e shtetësisë shqiptare, duke vlerësuar kontributin dhe veprimtarinë e tij të spikatur, prej më shumë se 20 vitesh, në ringjalljen e besimit dhe forcimin e harmonisë fetare në vendin tonë. Faleminderit përzemërsisht Imzot Frendo për gjithçka keni bërë për komunitetin katolik, por jo vetëm! Urime! Zoti ju bekoftë ju, Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar!”
Kujtojmë se Imzot George Frendo u emërua arqipeshkv i Dioqezës së Tiranës dhe Durrësit me 17 nëntor 2016 pas ndarjes nga jeta e Imzot Rrok Mirditës.











