Kanadezët të interesuar për investime në sektorin minerar të Kosovës
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka pritur dje një delegacion të Korporatës Minerare “Trevali” nga Kanadaja, të drejtuar nga Presidenti dhe kryeshefi ekzekutiv i saj, Mark D. Cruise, korporatë e cila është e specializuar në sektorin e minierave, në veçanti atë të zinkut.
Ministri Lluka e ka njoftuar Cruise me burimet minerare që ka Kosova dhe mundësitë për investime në këtë sektor, duke theksuar angazhimin e Qeverisë për të krijuar një mjedis sa më të favorshëm për investimet e huaja.
Nga ana e tij, Cruise ka prezantuar aktivitetet aktuale të kompanisë që drejton në Kanada dhe Afrikë, ndërsa ka shprehur interesimin për sektorin e minierave të Kosovës.
Cruise ka bërë të ditur gjithashtu se informacionet që ka marrë në Konventën e PDAC në Toronto, ku ishte prezent edhe Ministri Lluka, kanë ngjallur interesimin e tij për këtë sektor në Kosovë.
Ai theksoi se Korporata Minerare “Trevali”, është prodhuesi i 8-të më i madhi në botë i zinkut, i specializuar në minierat e vjetra, të cilat i ka rivitalizuar dhe i ka bërë ekonomikisht të leverdishme.
Biseda me Cruise tregoi që vizita e Ministrit Lluka në Toronto dhe kërkesa e tij për të sjellë sa më shume investime nga Kanadaja në Kosove ka dhënë rezultatet e para duke tërhequr konkretisht edhe interesimin e kësaj korporate të madhe.
Burimi: Telegrafi.com











