Aktualitet

2017 – Emigrantët dërguan 760 milionë euro në Kosovë

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka bërë të ditur se remitancat e hyra në Kosovë, gjatë vitit 2017 arritën vlerën prej 759.2 milionë euro dhe shënuan një rritje vjetore prej 9.9 për qind. Por problem për remitancat mbetet fakti që ato, për shkak të papunësisë përdoren në masë të madhe për konsum e jo për investime.

“Të gjithë tremujorët e vitit 2017 janë karakterizuar me rritje të theksuar të remitancave, ndërkohë që vetëm në tremujorin e katërt 2017, remitancat e pranuara arritën në 205.2 milionë euro dhe shënuan një rritje vjetore prej 19 për qind”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.

Rritja e remitancave, sipas BQK-së, mund t’i atribuohet, deri në një masë, rritjes së aktivitetit ekonomik në Eurozonë dhe Zvicër, duke qenë se remitancat që hyjnë në Kosovë vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra.

Remitancat nga këto dy vende përfaqësojnë përkatësisht 38 dhe 22.2 përqind të totalit, ndërsa remitancat e hyra nga SHBA kanë qenë 6.8 për qind.

 Burimi: Telegrafi