Për një debat serioz rreth sektorit energjitik të Kosovës
- Nga: Fatos Aliu
Në seancën e 26 prillit të Kuvendit të Kosovës lidhur me gjendjen dhe çështjen energjitike në vend, u fol shumë, por fare pak konkretisht, esencialisht apo me kompetencë profesionale.
Kryesisht ishte një debat fjalamanësh të zakonshëm, me shumë fajësime të ndërsjellta, por pa rezultat e pa efekt pozitiv, duke lënë shumë pyetje të hapura. Mes tjerash, më shumë u fajësuan më kompetentët, pa përjashtim, kryesisht ata që punojnë drejtëpërdrejtë në sektor, që kanë menaxhuar e menaxhojnë drejtëpërdrejt sektorin e energjetikës, duke mos dalluar e theksuar periudhat e ndryshme të menaxhimit, që nga paslufta. Ndërkohë që përgjegjësit kompetentë të fushës së energjetikës, që nga paslufta e deri më sot do të duhej të ishin të ftuar në seancë.
Në mungesë të kompetentëve të fushës, disa deputetëve (fatkeqësisht si Albin Kurti e Milaim Zeka, apo edhe dikush tjetër, sa kam arritur të përcjell seancën), ju dha mundësia të etiketojnë e përgjithësojnë të gjithë menaxherët e sektorit të energjetikës, gjithnjë në kontekst negativ, pa dallim e pa asnjë fjalë mirënjohëse për angazhimet e kontributin e punëtorëve dhe kuadrit drejtues, që nga paslufta, kur KEK-u, i sapo themeluar e i sapo ndarë nga Elektroprivreda e Serbisë (EPS), vuante tmerrin e një gjendjeje katastrofike, të trashëguar nga shkatërrimi mbi dhjetëvjeçar i sektorit në të gjitha aspektet.
Kurrë dhe asnjëherë, nuk u inicua apo organizua një debat serioz për zhvillimet që nga paslufta e deri më sot, as edhe pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës! Tani, me një vonesë 18 vjeçare, me pasoja të rënda për ekonominë e Kosovës, deputetë e qeveritarë sikur janë gjendur në befasi nga gjumi pothuaj dy dekadash!
Konsideroj, të paktën si thuhet, më mirë vonë se kurrë, do të duhej të organizohej debat serioz gjithpërfshirës, për zhvillimet nga viti 1999 e deri më sot, me të gjithë aktorët përgjegjës, e jo në mënyrë paragjykuese e të shkëputur periudhash.
Megjithëse si kryetar apo drejtues i parë i KEK-ut, në kohën më të vështirë 1999-2000, kur ky sektor i tjetërsuar nga regjimi i Millosheviqit, duhej ndarë nga dominimi i EPS – Serbisë, duke e rithemeluar si Korporatë - KEK, nuk kam pasur asnjë interes a përfitim personal (përkundrazi vetëm sa kam humbur nga intrigat e qarqeve të UNMIK-ut dhe argatëve të tyre menaxherialë e politikë!). Vazhdimisht më pas kam qenë prezent në media të shkruara, për gjendjen e sektorit, për rëndësinë e hapjes së debatit, me sqarime e dërgesa drejtuar përfaqësuesve partiake e institucionalë të kohës e mëpastaj.
Asnjëherë nuk kam qëndruar duarkryq, si për çështjet e interesit kombëtar e shtetëror, edhe për sektorin e energjitikës të cilit i takoj edhe profesionalisht. Por, nuk e kam të njohur që ndonjëherë është bërë lëvizje pozitive institucionale për hapjen e debatit profesional për zhvillimet dhe problemet ndër vite, jo vetëm menaxheriale por zhvillimore të sektorit, për tejkalimin e barrierave, të shkaktuara nga ndërhyrjet e shumta nga të gjitha anët, fillimisht nga qarqet e UNMIK-ut, të angazhuar për kontroll me sektorin, e nga klane e individë, elementë destruktivë brenda sektorit apo jashtë tij, për ta shndërrruar KEK-un në plaçkë tregu.
Autori është drejtues i parë i KEK-ut, pas luftës së 1999.












