Aktualitet

Patriarku i Kishës Ortodokse ruse, Kirill në Shqipëri

Ka mbërritur në Shqipëri, Patriarku i Kishës Ortodokse ruse, Kirill. Patriarku rus u prit në aeroportin e Rinasit nga kryepeshkopi i kishës ortodokse shqiptare Anastas Janullatos, bashkë me klerikë, të rinj orthodhoksë dhe fëmijë me kostume kombëtare me tufa me lule në duar.  Më pas ata vijuan me Dhoksologjinë zyrtare në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’, në Tiranë.

Patriariku shoqërohej nën masa të rrepta sigurie. Kirill për nga rëndësia konsiderohet në rang të barabartë me krerët botërorë të feve si Papa i Romës, apo Patriarku i Stambollit, dhe nisur nga kjo situatë dhe shërbimet e sigurisë në Shqipëri kanë marrë një sërë masash për të parandaluar çdo ngjarje të pakëndshme, gjatë vizitës së Kirill në Shqipëri.

Struktura të antiterrorit pranë Policisë së Shtetit, Garda e Republikës dhe agjentë të Shërbimit Informativ Shtetëror, gjatë kësaj jave janë angazhuar në një sërë detyra operative, për të lokalizuar dhe mbajtur në vëzhgim elementë kriminale, dhe me prirje radikale.

Patriarku rus Kiril, do të qëndrojë tre ditë në Shqipëri. Ditën e diel, më 29 prill, në mëngjes, të dy Primatët e Kishave do të bashkë meshojnë në Katedralen e Hirshme “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, me pjesëmarrjen e klerikëve të të dyja Kishave. Më pas, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të shtrojë drekën zyrtare. Pasdite, ora 18:00, do të jepet shfaqja festive në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale. Në fillim do të kryhet prezantimi i botimit në rusisht të librit të Kryepeshkopit Anastas, “Deri në skajet e dheut”. Në Liturgjinë Hyjnore dhe në shfaqjen festive do të marrë pjesë edhe Kori Sinodal i Patriarkanës së Moskës.

Në mbrëmjen e së dielës, Presidenti Ilir Meta, do të shtrojë një darkë në Pallatin e Brigadave. Të hënën, më 30 prill, Patriarku Kiril do të ketë takime zyrtare, në Selinë e Presidencës, me Presidentin Ilir Meta, si dhe në selinë e Kryeministrisë, me kryeministrin Edi Rama. Në fund do të vizitojë manastirin e Shën Vlashit, Durrës dhe Akademinë Orthodhokse Theologjike “Ngjallja e Krishtit”. Largimi i vizitorit të lartë parashikohet në orën 14.00, nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, ka vizituar zyrtarisht Kishën Orthodhokse të Rusisë më 1999.

Në Moskë, në një ceremoni zyrtare në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale të Shpëtimtarit, Kryepeshkopi Anastas është nderuar me Çmimin “Për kontribut të shquar për unitetin e Orthodhoksëve” (2008).

 

Burimi: kohajone.com dhe orthodoxalbania.org