Shqipëri: Dielli i prillit hap çadrat e plazheve
Duket se dielli i prillit i ka tunduar jo vetëm banorët e qyteteve bregdetare, por edhe të tjerët që kanë marrë udhët të gjenden pranë ujërave të kripura e të ëmbla shqiptare. Këtë fundjavë, veçanërisht në Adriatik lokalet ishin plot me klientë të cilët si për forcë zakoni frekuentimi të restoranteve filluan të përdornin edhe shezlongët ende të pasistemuar. Pa këto nuk rrihet në rërën e preferuar kryesisht nga fëmijët, për të luajtur me kova e lopata.

Në një lokal të njohur nga zona e Kavajës, në orët e para të mëngjesit nuk shërbente njeri në rërë, por më pas pronari i bar-restorant-hotelit, duke parë fluksin e kërkesave për çadra thërriti një punonjës të mblidhte paratë e rastit. Të pakën çmimin e kishte vendosur të arsyeshëm si për periudhë jashtë sezoni zyrtar.
Në hotelin ngjitur, kishin filluar të zbarkonin turistë polakë. Pishina ishte bërë gati, por trotuaret e rrugës së shtruar ende nuk kishin përfunduar nga sektori i punëve publike të Bashkisë. Megjithatë turistët buzagazë shprehnin kënaqësi, pasi u kishin thënë që dikur Shqipëria kishte qenë një katastrofë dhe tashmë po merrte formë. Kësisoj ata nuk ankoheshin për ndonjë mungesë apo problem infrastrukturor rreth e qark zonës ku shëtisnin. Bregu zona-zona ishte i pastër. Sigurisht aty ku kishte biznese. Por jo të gjitha kishin filluar nga puna seriozisht. Disa ishin mbyllur për fare.

Në zonat publike dallohej papastërtia. Menutë e restoranteve nuk ishin pasuruar krahasuar me vitin e shkuar, përkundrazi reduktuar. Dhe ajo që vihej re ishin ndryshimet në çmim. Ato ishin rritur, por jo në raport me cilësinë. Shpresojmë që të ketë qenë vetëm një rast i veçantë kjo fundjavë. Me hapjen e sezonit, urojmë që produktet të jenë cilësore dhe shërbimi pa dallime krahinore, kombësie apo shtetësie.
©Flasshqip.ca











