Pse shesin në rrugë nënoket e fshatit?
Nëse transportin nga fshati për në qytet do ta kishin falas apo me biletë ekonomike, nëse vendin në treg do ta kishin të posaçëm, dhe me tarifë speciale, mendoni se nënoket do uleshin në gurët e ftohtë të trotuarëve të qyteteve për të shitur çikore, sallata, vezë apo majdanoz?
Këta njerëz punëtorë që dalin për të shitur pak tufa perimesh apo kokrra vezësh nuk i përkasin asaj kategorie që mund të shesin përditë. Produket e tyre nuk janë pambarim. Pulat e tyre nuk pjellin me orar kur bien zilet e pularisë. Pulat e tyre i pjellin vezët sipas orës së tyre biologjike që nuk përputhen me orët e tregëtisë së përditshme.
Njerëzit e qyteteve mezi presin nënoket mëngjeseve, dhe kur ato mungojnë ose përzihen brutalisht prej punonjësve të bashkive, qytetarët mërziten. Shumica kanë empati ndaj fshatarëve që nxjerrin bukën e gojës përmes djersës që u pikon pikë-pikë rrugëve të qyteteve apo shkallëve të pallateve kur u sjellin qumështin në derë. Por ka edhe nga ata që bezdisen nga kovat apo shportat e tyre. Ka edhe nga ata që bëjnë pazar për çmimin e kokrrës së vezës ndërsa Range Rover-i i pret ndezur buzë rruge.
Nënoket nuk e prishin qytetin e as tregjet e zbukuruara aty-këtu. Puna e njerëzve të thjeshtë i jep jetë qytetit dhe madje shpresë, ndryshe nga sheshet e ndërtimit që vetëm shtohen e u marrin frymën qyteteve.
Gëzuar 1 Majin nënoke!
©Flasshqip.ca











