Aktualitet

5 Maji përkujtohet dhunshëm

Si çdo vit në në “Varrezat e Dëshmorëve”, me rastin e 5 Majit, u bëhen homazhe dëshmorëve të luftës për lirinë dhe demokracinë e Shqipërisë.

Por këtë vit ato janë shoqëruar me incidente dhe përleshje mes veteranëve nostalgjikë të ish-diktatorit Enver Hoxha dhe disa personave ende të paidentifikuar.

Ngjarja ndodhi pak minuta pasi Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi vendosën kurora me lule. Pas tyre u shfaqën veteranët me parulla dhe pankarta që kujtonin diktatorin. “Partia Komuniste, Partia Komuniste”, kanë qenë thirrjet e veteranëve.

Por në të njëjtën orë ishte parashikuar të vendoste kurora me lule lideri i PD Lulëzim Basha. Organizatorët e ceremonisë së demokratëve të irrituar nga veteranët iu kundërvunë, duke u përplasur edhe fizikisht me ta. Dhe sipas raportimeve të para, Flasshqip mëson prej mediave të ndryshme në Shqipëri se janë përdorur edhe shkopinj.

“Enver Hoxha i bëre gropën këtij vendi, poshtë komunizmi,” -bërtisnin personat që u përplasën fizikisht me veteranët.

Ndërhyrja e policisë ka neutralizuar përleshjen dhe ka shoqëruar disa persona në komisariat lidhur me ngjarjen.