Punonjësit e administratës shqiptare me diploma të blera, ndërsa ata të kompanive Call-Center me Master dhe PhD
Në Shqipëri, të rinjtë që mbarojnë shkollën, nuk kanë mundësira të mjaftueshme e të përshtatshme punësimi. Vendet e punës në shtet i sigurojnë ata që kanë punuar për partitë në fushata, lëre ç’thonë se i gjejnë përmes konkurseve në DAP. Apo sidomos kur thonë se e kaluan me forcat e veta testin e shkollës së administratës publike. Falsitet kudo. Diplomat e tyre të blera që datojnë edhe pas mbylljes së universiteteve që i kanë lëshuar, nuk përbëjnë problem punësimi. Sepse tesera e partisë është çelsi i punësimit të tyre në strukturat shtetërore. Siç edhe është po njëlloj edhe për largimet nga puna.
Të rinjtë që nuk duan të përfshihen në organizata partie, e dinë ku të përplasen për të mbajtur veten e të mos u bëhen barrë prindërve. Ata trokasin në kompanitë Call-Center që mbeten punëdhënëset me më shumë oferta pune.
Panairet e punës janë thjesht fasadat ngjyra-ngjyra të pushteteve qendrore e vendore. Medemek ofrohet punë, psh 3 mijë vende ofrohen nga Bashkia e Tiranës apo edhe nga Kryeminsitri kur viziton kompanitë private. Dhe kjo shifër reklamohet si meritë qeveritare, e megjithatë punë ka por s’ka profesionistë-deklaron shpesh Edi Rama. Paçka se thonë e thërrasin për aplikime në zyra pune apo portale të administruara nga partia, të rinjtë e dinë nga përvoja se gjithçka thuhet bukur e plot vetëbesim në media nga pushtetarët, nuk është njëlloj me realitetin që vret kur e prek.

Prandaj profesionistët me Master apo Doktoratura rrinë nga mëngjesi në mbrëmje me kufje në vesh në kompanitë Call-center. Ndoshta sepse këto kompani paguajnë mirë, ndoshta sepse diplomat janë zhvlerësuar, qofshin të nivelit të dytë apo të tretë. Ose ndoshta ky vend nuk ka ç’tu ofrojë të kualifikuarve, pasi zyrat i ka mbushur me militantët që hidhen në lumë e zjarr për çështjen e partisë.
Prandaj edhe infermierët, mjekët, inxhinierët, arkitektët, muzikantët, piktorët informaticienët, por edhe ata që kanë diploma që nuk flasin gjuhën universale të shifrave, ngjyrave apo notave muzikore po marrin rrugët e Evropës e Amerikës në kërkim të mundësive. Rrofshin kompanitë Call-Center që u vijnë në ndihmë për të grumbulluar paratë e nevojshme për dokumentet. Ata gëzojnë kur arrijnë t’ia mbathin larg politikës shqiptare që po bën gjithçka për t’i përzënë.
©FlasShqip.ca











