Abuzimet e Postës Shqiptare me moshën e tretë
- Nga: Patricia Bardhi
Të moshuarit nuk kanë zë në mediat shqiptare. Rrallë kujtohen për ta. Rroftë 5 maji kur u duhen për intervista, ose ditët ndërkombëtare për të bërë një emision për moshat e treta. Kur vjen puna te hallet e tyre të përditshme ca minuta boll i kanë -porositin pronarët e mediave të cilët prej pensionistëve nuk kanë ndonjë qar. Dhe kështu komshija ime pensioniste, e cila ende nuk ka marrë pensionin e saj, pret postierin çdo ditë te dera me shpresën se po i vjen me zarfin në dorë. Ajo nuk ankohet, siç duket zakon prej të kaluarës të mos hapë gojë. Kënaqet ndonjëherë kur dëgjon ndonjë shoqe që telefonon mëngjeseve te Bashkim Hoxha. Po ajo e di që ankesa të tilla janë për të mbushur programin.
Komshija ime ka nënshkruar me postën shqiptare një marrëveshje ca vite më parë që të mos dilte nga shtëpia nëpër shi e nëpër vapë e të priste në rradhë për pensionin, të cilin edhe pse me sasi të pakët e ruante nga ndonjë grabitës i mundshëm. Ajo marrëveshje parashikonte që kundrejt pagesës prej 200 lekësh në muaj, pensioni do t’i vinte në shtëpi. E moshuara komshija ime, tani është bërë pishman. Postieri ia sjell me shumë vonesë, me justifikimin se Posta Shqiptare sa herë që ndërron shefa, shkurton ndonjë postier, e deri në punësimet e të rinjve në zinxhirin e të dëmtuarëve janë edhe pensionistët. Këta të fundit, si më të papërfaqësuarit paguajnë në heshtje edhe kamatat e energjisë elektrike. Mos të flasim për ilaçet mujore, mungesa e të cilave i rrezikon jetën. Me çfarë ti blejë komshija ime e shkretë? Pensioni nuk i ka ardhur akoma? Me borxhe nuk është mësuar të jetojë se i përket një brezi që njeh ç’domethënë të kesh turp apo ndrojtje.
“Eh moj bijë, duhet të vë mend. Ti zë besë vetëm këmbëve të mia. U pa puna, do kërkoj të ndjek mënyrën e vjetër. Ta marr vetë pensionin siç bënte nënëzeza ime”.
Dhe kështu bëri e gjora. Me atë rast mendoi të kursente edhe 2 mijë lekëshin e hakut të postierit. Por Posta Shqiptare, edhe pse këtë shërbim nuk e mbuloi vetë, tarifën e shërbimit e mbajti.
Një “bravo” Postës Shqiptare për abuzimet me moshat e treta! Ku i dihet merr ndonjë çmim ose përfiton ndonjë tender të ri së afërmi për këtë kujdes të treguar!
©FlasShqip.ca











