Aktualitet

Reagime gazetarësh të njohur për rastin ‘Ambrozia Meta’

 Andi Bejtja: Faleminderit Ambrozia! 

Në fakt, dhe pse po i them faleminderit, jam i sigurtë që Ambrozia, ashtu si çdo gazetare në botë nuk ka nevojë për falenderime kur bën detyrën. Po i them me gjithë zemër faleminderit, se ruajti me profesionalizëm dinjitetin e nepërkëmbur nga Kryeministri të gazetarëve të terrenit dhe jo vetëm. Në fakt, ishte një pyetje e thjeshtë që e kanë bërë shumë njerëz në telefonatat e tyre në emisionet e mëngjesit. Por, ishte pyetja që Kryeministrit i prish pasqyrën ku e sheh veten si do dhe jo si është. Ambrozia, në të njëjtën kohë i prishi sot pasqyrën dhe shumë e shumë të ashtuquajturëve analistë nëpër studiot e së enjtes. Sot, ra "primetime" i së enjtes politike, fitoi "primetime" i dinjitetit të gazetarit të terrenit. Sot, kuptuam dhe njëherë sa e thjeshtë të jesh gazetar në këtë vend: mjafton të mos jesh i shitur! Sot e dimë të gjithë ku është tamam kazani, kazani që na bëri t'i themi në mënyrë të pazakontë faleminderit, dhe atij që bën punën e përditshme. 

 Arben Vata: Meta largon Ramën

Gazetarja e Fax News detyron kryeministrin të ndërpresë konferencën. Ky person kujton se pronarët e mediave (dhe çdo pronar kompanie private), është pronar dhe i punonjësve të tyre. Ky është akoma te sistemi skllavo - pronar. Ndaj u kujton gazetarëve se kush janë "pronarët" e tyre. Pronarët mund të jenë prona e jote, por jo gazetarët dhe asnjë i punësuar në privat. Mbase edhe të punësuarit në administratën publike ky mendon se kanë këtë si pronar. Realisht nuk ka shumë faj. Ky është koncepti që mbizotëron jo vetëm në media prej vitesh. Kjo vajzë dinjitoze, gazetarja Ambrosia Meta, tregoi një shembull edhe për "skllevërit" e tjerë të mediave. Ajo nuk ka pranuar të marrë pyetje të gatshme. As punëdhënësit e saj nuk kanë guxuar ta fyejnë atë me pyetje që i pëlqejnë kryeministrit. Bravo vajzë! Përgëzime stafit të medias kurajoze dhe gazetares.

 Ilir Hoxha: Gazetares bravo për kurajon!

Sa mbrapa po ecën ky vend. Kur ishim gazetarë terreni pyetje si ato të gazetares Ambrozia Meta së Fax News drejtuar ish-kryeministrave Nano, Berisha, Meta apo Majko ishin gjëja më normale në konferencat e shtypit.  Kurse sot, në këtë derexhe që është katandisur media, normaliteti është konvertuar në akt sublim i krahasueshëm me atë të Zhan D’Ark kundër anglezëve në shek XIV. Gazetares bravo për kurajon pasi kishte përballë një kryeministër që kërcënon njerëzit me copën e bukës dhe që ka vrarë median e lirë në këtë vend.

 

 ©FlasShqip.ca