Aktualitet

Java politike shqiptare

Përmbledhje e javës

Java politike shqiptare u ndez nga historia e një audiopërgjimi të denoncuar nga opozita, sipas të cilës bëhej fjalë për një bisedë mes Agron Xhafaj, vëllait të ministrit të brendshëm dhe një personi tjetër i cili fillimisht u quajt dëshmitari x e më vonë u identifikua si Albert Veliu. Biseda doli se ishte rregjistruar përmes aparatit të një gazetari investigativ Jetmir Olldashit, i cili prej muajsh ishte në gjurmim të informacioneve rreth trafikut të drogës në Vlorë.

Opozita akuzon vëllain e ministrit si kreun e trafikut në jug të vendit dhe për këtë arsye kërkon dorëheqjen përmes protestash të kryera dhe të paralajmëruara në javën e ardhshme.

Por Ministri Fatmir Xhafaj deklaron se nuk ka ndërmend ta japë dorëheqjen dhe se kryeministri nuk ia ka kërkuar një gjë të tillë. Ata janë shprehur që të dy se përgjimet janë sajesa të opozitës dhe brenda 24 orëve shpallën se ishin falso.

Këtë konkluzion opozita e konteston me pretendimin se nuk ka asnjë agjensi që të nxjerrë akt ekspertimi për 24 orë. Megjithatë fjala e fundit do t’i mbetet organeve të drejtësisë të cilat kanë nisur hetimet dhe marrjet në pyetje si dhe ekspertizës të materialit të audio-përgjimit. Sipas mediave të ndryshme raportohet se ekspertiza do të kryhet nga policia shkencore, e cila është nën varësinë e Ministrit Xhafaj.

Kjo çështje ka gjeneruar plot emisione televizive si dhe konferenca shtypi, mes të cilave edhe një deklaratë të ministrit të brendshëm Xhafaj. Opinionit publik iu evokua përmes medias ngjashmëria me deklaratën e paraardhësit të tij të gjendur tashmë nën akuzë e nën arrest shtëpie.

Ndërkohë në komisariatin e Korçës vdes një i ri 27-vjeçar, Enea Ftoji, për të cilin familjarët kanë ngritur dyshime se ndaj tij është ushtruar dhunë policore deri në vdekje. Por kjo ngjarje ka kaluar pa bujë të madhe, meqenëse të gjitha studiot televizive ishin të zëna me çështjen e vëllait të ministrit.

Aq të zëna saqë nuk u theksua shumë as vizita e kryeministrit në Francë. Apo ndoshta sepse Rama nuk mori ndonjë mesazh mbështetës nga Macron?!

Dhe së fundi ngjarja e bujshme që mori 24 orë vëmendjen publike ishte konferenca e shtypit që u ndërpre në mënyrë demonstrative nga kryeministri Rama, i cili nuk i dha dot përgjigje pyetjes e ripyetjes së gazetares Ambrozia Meta lidhur me mundësinë e Partisë Socialiste për të ofruar kandidatë të tjerë për ministra të pa akuzuar për lidhje me trafiqet. Kjo pyetje mori si përgjigje largimin e kryeministrit nga salla.

 

©FlasShqip.ca