Nga Zef Preçi: Mish i kontaminuar në Shqipëri-Pse qytetarëve nuk u tregohet kompania që e importon?
Zef Preçi
Pas gati tri dekadash qysh nga ndryshimet sistemike të fillimviteve ‘90, kur pjesa më e madhe e popullsisë ka patur mundësinë apo nevojën të udhëtojë jashtë vendit, kur më shumë se 1/3 e popullsisë së vendit jeton dhe punon në vendet Perëndimore (kryesisht Greqi, Itali e Gjermani), është e natyrshme që pritshmëritë e qytetarëve nga qeverisja të jenë më të mëdha dhe në rritje. Forma më e lehtë e këtyre pritshmërive është krahasimi i shërbimeve publike, kostos së tyre, mënyrës së funksionimit të institucioneve publike, etj., mes Shqipërisë dhe vendeve Perëndimore. Në fakt, shumica e qytetarëve shqiptarë kuptojnë diferencën e madhe të shërbimeve publike që marrin në vendin e tyre me shërbimet e ngjashme në vendet ku jetojnë e punojnë t’afërmit apo ata vetë, por vetëm kaq. Domethënë ata nuk arrijnë të bëjnë lidhjen logjike dhe elementare që bën çdo qytetar perëndimor midis taksave që paguan dhe shërbimeve publike që merr nga institucionet shtetërore. Pra, në Shqipëri përgjithësisht mungon llogaridhënia e atyre pak të zgjedhurve drejtpërdrejt me votën e qytetarëve (të vetmit që zgjidhen në këtë mënyrë janë kryetarët e bashkive aktualisht), dhe aq më pak e atyre që emërohen nga kryetarët e partive duke filluar me Kuvendin, etj. Mjafton për të ndjekur disa minuta ndonjë nga emisionet televizive me mikrofon të hapur për qytetarët, për të kuptuar këtë fakt të thjeshtë. Qytetarët ankohen e ankohen pa fund, bile edhe për çështje për të cilat janë vetë përgjegjës, por përveç propagandës përherë e më të sofistikuar që synon të zhvlerësojë argumentet e të zhvendosë vëmendjen drejt situatave ireale, nuk marrin thuajse asgjë tjetër nga institucionet shtetërore.
Personalisht besoj se në shoqërinë e sotme shqiptare dominon mentaliteti i trashëguar nga periudha e shtetit monist, në të cilën qytetari “kërkon llogari” edhe pa paguar gjë drejtpërdrejt, sepse Shqipëria ishte “një vend pa tatime e taksa”. Ky mentalitet ushqehet edhe nga ide populiste dhe fiksione fushatash zgjedhore, si psh “shëndetësia falas”, etj.
Shkurt, besoj se dështimi më i madh në ndryshimin e mentalitetit të qytetarëve gjatë tri dekadave të fundit, është mungesa e “urave” që lidhin kontributet në taksa me përfitimet prej tyre. Ky element është thelbësor në shoqëritë perëndimore dhe është konsoliduar krahas me modernizimin e shtetit të së drejtës, ndërsa tek ne as që bëhen përpjekje në këtë drejtim. Ndoshta ky është edhe elementi më favorizues në të cilin ngjizet keqqeverisja, abuzivizmi me pushtetin, apo fuqizimi i rolit të individit deri edhe në krijimin e liderve autokratë dhe që largohen hap pas hapi nga principet e shpallura demokratike dhe rregullat e shkruara në Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
E tash të vijmë te një publikim i ditës së sotme. Fjala është për bllokimin e një sasie të madhe mishi të importuar të kontaminuar, domethënë të rrezikshëm për shëndetin dhe jetën e konsumatorëve. Duke e përgëzuar Autoritetin e Kontrollit të Ushqimeve (AKU), natyrshëm lind pyetja: çfarë e pengon këtë institucion që paguhet nga paratë e buxhetit të shtetit të publikojë emrin e firmës apo firmave importuese, NIPT-in, adresën, etj., dhe kështu do të ndodhte ajo që ndodh kudo në botën e sotme: konsumatorët do të bojkotonin prodhimet (jo vetëm këtë mish vrasës të bllokuar nga AKU) e firmës/firmave importuese duke e/i shtyrë drejt falimentimit të sigurtë. Kështu qytetarët do të ushtronin të drejtën elementare të zgjedhjes (mashtrimi është një arsye për të bojkotuar një firmë të caktuar, pra për ta përjashtuar nga zgjedhja apo preferenca konsumatore). Ndërkaq institucionet publike, në rastin tonë AKU do të bënte minimalen e mundshme në përmbushjen e detyrës së vet ndaj taksapaguesve: informimin e tyre për një rrezik të vërtetë, jo tashmë potencial (sepse analizat janë bërë dhe AKU ka tagër ligjor në këtë proces). Në këto kushte publikisht ftoj mas-median që të insistojë pranë AKU që ky institucion të publikojë menjëherë të gjitha të dhënat e kompanisë duke paralajmëruar qytetarët që të mos blejnë prodhimet e firmës importuese të mishit nga Brazili. E nëse nuk e bën këtë, t’i kërkojë Prokurorisë që të fillojë hetimet kryesisht ndaj drejtuesve të AKU për shpërdorim detyre me pasojë rrezikimin e shëndetit dhe jetës së njerëzve. Ndoshta kështu edhe zyrtarët e lartë të qeverisë dhe vetë z. Rama, me cilësinë e kryeministrit të vendit, do të merren me një problem të vërtetë të qeverisjes, për të cilin qytetarët janë në të drejtën e vet kushtetuese të kërkojnë informacion për rreziqet që i kanosen. Ndoshta dikush që do të jetë në mbledhjen e radhës me popullin, dmth me administratën shtetërore dhe aktivistët politikë të mazhorancës, mund ta pyesë drejtpërdrejtë e kështu do të vihen pikat mbi “i” për një problem kaq të mprehtë të jetës së përditshme të qytetarëve shqiptarë. Dikur, në regjimin komunist, një burrë i mençur pyetjes sime “se, përse bëjmë shumë mbledhje?!”, i dha këtë përgjigje: “Bëjmë shumë mbledhje, se bëjmë pak punë...” Ai nuk dinte gjë se sistemi do të ndërrohej mbas pak vitesh, as se “vija e masave” do të përkthehej mbas 30 vitesh si “e-Bashkëqeverisje”...











