Aktualitet

Tiranë: Opozita nesër në protestë

Nesër më 26 maj në orën 11:00 opozita do të mbajë protestën e paralajmëruar një javë më parë. Ndryshe nga herët e tjera kjo protestë do të jetë një lloj marshimi nga sheshi “Skënderbej” deri para kryeministrisë.

Kështu thuhet në kërkesën që opozita i ka drejtuar Policisë së Tiranës për leje.

Opozita kërkon largimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe të kryeministrit Edi Rama, pasi i akuzojnë si të lidhur me krimin dhe korrupsionin.

Por sipas mazhorancës nuk mund të kërkosh rrëzimin e qeverisë nga një audiopërgjim ku thuhet se bëhet fjalë për zërin e vëllait të ministrit të Brendshëm.

Protesta do të zgjasë deri në orën 15:00. Policia ka lajmëruar qytetarët për akset rrugore të bllokuara në mënyrë që të marrin masat për lëvizjet e udhëtimet e tyre.