Ç’u bë me protestën e opozitës?
Protesta opozitare që u zhvillua sot në Tiranë mblodhi qytetarë që kërkonin rrëzimin e qeverisë, dorëheqjen e ministrit të brendshëm Xhafaj dhe të kryeministrit Rama për shkak të audio-përgjimit tashmë të famshëm e të njohur me emrin shkurt “Babalja”.
Protestuesit (qindra apo mijëra nuk e kemi si info të saktë) janë drejtuar dhe kanë rrethuar Ministrinë e Brendshme, duke kërkuar largimin e Fatmir Xhafajt.
Me flamuj në dorë, tymuese dhe gurë protestuesit u vendosën rreth godinës. Ndërkohë forca të shumta policie, krijuan kordon për të mos lejuar situatën të përshkallëzohet.
Incidenti i parë ndodhi përballë Kryeministrisë. Menjëherë pasi kreu i PD Lulzim Basha mbaroi fjalimin e tij dhe thirri protestuesit drejt një marshimi deri në sheshin “Nënë Tereza”, një grup protestuesish u përplasën me kordonin e policisë. Qytetarët të revoltuar hodhën tymuese duke tentuar të kalonin për tek Kryeministria. Por forcat e shumta të policisë mbajtën nën kontroll situatën. Më pas në kthim, është tensionuar situata përpara Ministrisë së Brendshme.
Duke qëlluar me gurë, shkopinj, tymuese dhe çdo send të fortë, qindra protestues kanë rrethuar godinën dhe janë përplasur me policinë dhe forcat e FNSH-së. Si pasojë e përplasjes nuk ka munguar as gjakosja e protestuesve, mes të cilëve edhe kryeredaktori i gazetës RD Bledi Kasmi.

Kasmit i është dhënë shërbimi mjekësor dhe aktualisht paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore ndërsa PD akuzon policinë për dhunë ndaj kryeredaktorit në krye të detyrës.
Për të qetësuar protestuesit dhe për t’i tërhequr ata nga godina e Ministrisë së Brendshme është dashur ndërhyrja e kreut të PD-së Lulzim Basha dhe deputetëve të tjerë demokratë. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të tërhiqen.
Duke ndjekur liderin e opozitës, protestuesit parakaluan në pedonalen para Teatrit Kombëtar, për të ecur drejt selisë së PD-së.
Pa kaluar as 5 minuta nga përfundimi i protesës së PD-së, numri një i Qeverisë, Edi Rama ka reaguar në rrjetin social “Facebook”. Ai e ka quajtur babaleprotesta sa qesharake aq edhe të pabesë ndaj çdo shqiptari e shqiptareje, ndërsa ka falenderuar të gjithë demokratët që nuk duan ta shohin me sy qeverinë, por e refuzuan ftesën për të marrë pjesë në protestë.











